DURRËS – U mbajt këtë javë në Gjirin heroik të Lalzit, plenumi i jashtëzakonshëm i Asamblesë së Komitetit të Kryesisë së Presidiumit Socialist, nën udhëheqjen e sekretarit të parë që s’ka të dytë, që marrtë nga ditët e asamblistëve.
Nga ky plenum duallë vendime kyçe, aq sa në fund të gjithë pjesëmarrësve u dhimbnin kyçet për shkak se tundnin pa pushim gishtin tregues të dorës së djathtë – ose të majtë, për ata që ishin mëngjërashë – në garë se kush denonconte më shumë armiq e tradhëtorë.
Punimet i hapi sekretari organizativ Blender Kosi, i cili i ftoi asamblistët që t’i vinin gishtin kokës, para se të tundnin gishtin kundër devijatorëve të djathtë e të majtë, shokëve me prirje sektare, oportunistëve, personazheve negativë që rrugës mund të korrigjoheshin, por sidomos armiqve të fshehur në gjinjtë e partisë, gjarpërinjve, kolaboracionistëve dhe larove të tyre.
Pasi shoku Kosi u mek për shkak të leximit të fjalive të gjata pa asnjë shenjë pikësimi në mes, fjalën e mori sekretari i parë që s’ka të dytë, e që marrtë nga ditët e sekretarëve të tretë.
Në fillim ai hodhi sytë drejt sallës, për të pikasur ndonjë nga ata që nuk ishin gati të jepnin nga ditët e tyre. Pastaj foli për arritjet e planit të tretë 4-vjeçar dhe nevojën e forcimit të lidhjes së partisë me masat.
“Anëtarësimet socialiste janë rritur me 35%, të dashur shokë. Megjithatë, nuk ka vend për kënaqësi: Gati një e treta e popullsisë nuk janë bërë akoma anëtarë të partisë. Pse kështu, shoku Kosi?”, dhe ktheu vështrimin nga sekretari organizativ, që i kishte hyrë gjuha brenda. Pasi piu dy gllenjka dhallë, Kosi mërmëriti:
“Do përpiqemi me të gjitha forcat, shoku udhëheqës. Thjesht nuk kemi aq ndihma ekonomike, tendera, leje ndërtimi, licensa, sa për t’i anëtarësuar gjithë shqiptarët. Por diçka do bëjmë!”
“Të lumtë mo gaz. Ha dhe ca gjizë, shoku Kosi. Gjiza të bën esëll”, e këshilloi sekretari i parë, dhe vazhdoi:
“Ne duhet të lidhemi me popullin, si mishi i kecit me verën Romanee Conti. Janë ngritur ca bashibozukë dhe protestojnë, se duan të na prishin unitetin. Hedhin parrulla armiqësore që ne të ngelemi si peshku në zall. Po ne këtyre ujqërve ua tregojmë vendin. Pastaj në gojë të tyre hedhim valle.”
Dhe kërkoi të dijë sesi po ecet me planin e valleve për gjashtë-mujorin e dytë të vitit. Shifra nuk i pëlqeu. Asamblistët ishin trashur aq shumë në qafë, gushë, bark e kofshë, sa me hapat e parë këputeshin dhe bëheshin ujë në djersë.
Atëherë sekretari i parë me të drejtë u nxeh dhe kërkoi që mediat, këto vegla të reaksionit dhe gazetarët mikroborgjezë si në kohën e turkut, të dilnin nga salla.
***
Në punimet me dyer të mbyllura, reporteri i dërguar nga gazeta Zëri i Patronazhistit mësoi se sekretari i parë ja çorri maskën një tjetër grupi armiqësor.
Bëhet fjalë për anëtarë të grupit të Të Rinjve, mes të cilëve Lali i dërguar për riedukim në Fier; Mamica, të cilës partia i kishte dhënë dorën me zemërgjerësi por ajo e kishte kafshuar; dhe Pralenti i cili nuk e dinte as vetë çfarë kishte bërë, sepse nuk ishte thelluar sa duhej.
Shoqja Bella Ballukja i sugjeroi sekretarit të parë se duhej shpallur armiq edhe shoku Braçe, pasi kishte shumë lakra në kokë, por sekretari i parë ja preu shkurt me ashpërsi: “Më vonë shpirt, më vonë, do bëjmë dhe asamble të tjera!”
Lali u akuzua se shihte fshehurazi kanalet e huaja, Mamica se jepte e merrte me ca zogj të shpifur që quheshin flamingo, - a thua se mbaruan turtujt e turtulleshat socialiste – ndërsa Pralenti se kishte ndërruar bateritë e pultit me të cilat Lali shikonte kanalet e huaja.
I vetmi që doli nga skenari ishte shoku Mandi Pajko. Ai, i zgjuar befas nga dremitja në karrige, u ngrit dhe bërtiti:
“Ore shokë, këtu të gjithë burra e gra ashtushen me njëri-jatrin dhe bëjnë vidjo. Shega është dhe goxha pelë! Këto janë turpe, në kohën tonë nuk bëheshin këto gjëra!”, dhe ja futi gjumit prapë.
Vini Re: Zëri i Patronazhistit është jorgan i Komitetit Qendror të Partisë. Se cilës parti, e dini vetë ju