Elisa, betejën nuk e ke me Ballukun, por me shefin e saj që e konsideron "mentor"

20 Nëntor 2026, 00:34Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Elisa, betejën nuk e ke me Ballukun, por me shefin e saj që e
Rama, Balluku dhe Spiropali

Elisa Spiropali ka vendosur më në fund të flasë për deformimin e pushtetit brenda Partisë Socialiste. Por në intervistën e saj në “Top Story”, ajo bëri një kontradiktë të madhe duke denoncuar personalizimin ekstrem të pushtetit, ndërsa njeriun që e ka përqendruar atë prej më shumë se një dekade, Edi Ramën, vazhdon ta konsiderojë mentorin e saj politik.

Elisa Spiropali ka të drejtë kur thotë se Partia Socialiste ka nevojë për reformim të thellë. Ka të drejtë kur flet për mungesën e demokracisë së brendshme, për vendimmarrjen e përqendruar dhe për një parti ku mendimi ndryshe gjithnjë e më shumë trajtohet si kundërshtim ndaj kryetarit.

Por ajo duket se shmang përfundimin politik të vetë kritikës që bën.

Në intervistën e dhënë, Spiropali deklaroi se Belinda Balluku përfaqëson modelin më të keq të qeverisjes brenda Partisë Socialiste, ndërsa Edi Ramën e cilësoi ende si një figurë atërore dhe mentor politik, të cilit vazhdon t’i besojë vizionin për transformimin e Shqipërisë.

Këtu qëndron edhe problemi më i madh i qëndrimit të saj. Elisa, nëse Belinda Balluku është produkti i një modeli të deformuar qeverisjeje, atëherë duhet të kërkosh kush e ka krijuar, mbajtur dhe mbrojtur politikisht këtë model.

Kush e ka drejtuar Partinë Socialiste gjatë gjithë këtyre viteve? Kush i ka emëruar ministrat, kush ka vendosur për karrierat politike, kush ka përcaktuar drejtimin e qeverisjes dhe kush ka pasur fjalën vendimtare në strukturat e partisë?

Përgjigjja është Edi Rama!

Belinda Balluku nuk erdhi në pushtet përmes një gare të pavarur nga kryeministri. Ajo u emërua në funksionet më të larta ekzekutive në qeveritë e drejtuara prej tij dhe gëzoi për vite mbështetjen e tij politike.

Padyshim që Kryeministri ka përgjegjësi dhe për veprat penale të Ministrave, për korrupsionin e tyre, për abuzimin me pushtetin, arrogancën, degjenerimin etj

Nuk mund të kritikosh modelin dhe të kursesh arkitektin e tij, Edi Ramën.

Spiropali e përshkroi sot Partinë Socialiste si një organizatë ku mungojnë filtrat, kontrollet dhe hapësirat për mendimin ndryshe.

Por kjo parti nuk është drejtuar nga Belinda Balluku. Është drejtuar nga Edi Rama.

Nëse ministrat kanë grumbulluar pushtet të pakontrolluar, nëse forumet janë kthyer në institucione formale dhe nëse deputetët kanë humbur guximin për të kundërshtuar, përgjegjësia e drejtimit të partisë nuk mund të zhvendoset te një ministre, sado e fuqishme të ketë qenë ajo.

Elisa duhet të zgjedhë mes nostalgjisë për mentorin dhe kritikës ndaj modelit. Sepse nuk mjafton të kërkosh reformimin e thellë të Partisë Socialiste, pa shpjeguar nëse një reformim i tillë është i mundur nën të njëjtin model drejtimi.

Dhe nuk mjafton të denoncosh përqendrimin ekstrem të pushtetit, ndërsa vazhdon ta shohësh qendrën e këtij pushteti përmes marrëdhënies personale të mentorit me nxënësen.

Elisa, beteja jote nuk është me Belinda Ballukun. Balluku është një prej figurave të sistemit që ti vetë po kritikon.

Beteja politike që duhet të sqarosh është me Edi Ramën, me modelin e drejtimit që ai ka ndërtuar dhe me përgjegjësinë tënde si pjesë e atij modeli.

Dhe derisa Spiropali ta bëjë këtë dallim, mbetet e hapur pyetja nëse ajo po kërkon vërtet ndryshimin e modelit apo vetëm ndryshimin e pozicionit të saj brenda tij.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video