Arben Voja mbante së fundmi postin e drejtorit të Spitalit Rajonal të Fierit, një institucion me varësi direkte nga Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë që lidhjet e forta në atë qark e katapultuan në atë detyrë. Më herët, Voja drejtoi për disa vite Drejtorinë Rajonale të Kadastrës në Fier, i emëruar në atë pozicion sërish për merita politike, teksa aksioni i fundit i organeve ligjzbatuese i gjeti një dosje të madhe korrupsioni.
Ndërkohë, gjatë shoqërimit dhe kontrollit të banesës, Vojës iu gjetën 7 zarfe me para’, si një dëshmi e qartë se “është totalisht i korruptuar”, jo vetëm në Kadastër dhe në Spital, por edhe në institucionet e tjera që ka drejtuar, si kryetar i Komunës Topojë apo si drejtor në Agjencinë Rajonale të Mjedisit. Prokuroria i ka renditur të gjitha faktet, ku ai me një të rënë të lapsit tjetërsoi 44 mijë metra katrorë tokë shtetërore në Povelçë.
Në njoftim, akuza e Fierit thotë se tjetërsimi i pronave në Povelçë është bërë me firmën e Vojës, ku në atë sipërfaqe do të ndërtohej edhe një park fotovoltaik.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Fierit, Arben Voja aktualisht mban mbi shpinë akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës, teksa akuzat mund t’i shtohen për shkak të 7 zarfeve me para që iu gjetën në banesë, apo edhe gjurrulldive në institucionet e tjera që ka drejtuar.
“Gjatë kontrollit ushtruar në banesën e personit nën hetim Arben Voja, në Fier, brenda një sirtari të mbyllur me çelës, janë gjetur 7 zarfe me para, në të cilat janë shënuar emra dhe mbishkrime të ndryshme. Në total u sekuestruar 31.720 euro, 608.000 lekë, 5.000 kurora norvegjeze dhe 1.400 dollarë kanadezë. U gjetën dhe sekuestruan gjithashtu 46 fishekë armë zjarri të kalibrit 7.62 mm dhe 55 fishekë arme gjahu”, thotë prokuroria.
Akuzat e sipërpërmendura duket se janë vetëm maja e ajsbergut e Arben Vojës në Fier, teksa në këto radhë, Vox News, ka bërë një profil të fierakut, i cili në të gjitha drejtoritë që ka qenë, ka bërë korrupsion, intrigë dhe zhantazhe, teksa çuditërisht institucionet që duhet ta kontrollonin dhe hetonin, e kanë “amnistuar”.
“Duke e nisur së fundmi, gjatë kohës që ka qenë drejtor i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja u bënte kurthe mjekëve. Sajonte histori me pacientë, gjoja se paguanin mjekët nën dorë. Skema ishte e thjeshtë për të vjedhur e bërë korrupsion nga ana tjetër. Për t’u mbyllur gojën mjekëve dhe personelit që mos ta denonconin. Histori të ulta që i ka bërë në të gjitha institucionet që ka qenë”, tha një punonjës i Spitalit të Fierit, në kushte anonimati.
Sipas tij, një histori intrige ka ndodhur vitin e kaluar, ku Voja ishte “regjisori” i të gjithë skemës, duke u marrë me denoncues, me polici e prokurori. Ndërkohë, punonjësit pohojnë se nga ana tjetër, mjafton një kontroll dhe do të zbulohen shumë zullume të Arben Vojës në drejtimin e Spitalit të Fierit, tenderat e paracaktuar, emërimet apo shkarkimet.
Në fund të njoftimit të njoftimit të Prokurorisë së Fierit, për rastin e arrestimit të Arben Vojës për tokat në Povelçë, shkruhet se “kemi dyshime se, me të njëjtën mënyrë veprimi, janë tjetërsuar edhe pasuri të tjera në pronësi të shtetit”. Madje, po verifikohen faktet apo identifikohen të gjithë personat e përfshirë. Duket se, institucionet ligjzbatuese kanë informacione dhe prova kundër Arben Vojës dhe “bandës” së tij, sidomos në Kadastrën e Fierit. Ai është kallëzuar disa herë penalisht, për abuzime të shumta me detyrën.
Në muajin janar të vitit të kaluar, dhjetëra qytetarë dolën në protestë para Kadastrës në Fier, për të protestuar për procedurat zvarritëse shumëvjeçare, për tu pajisur me certifikatë pronësie. Ata pohojnë njëzëri se është e papranueshme që të mos marrin përgjigje, ndërkohë që thanë se “pa mik e zarfe” nuk mbaron punë në atë institucion, që nga anketat e bëra del më i korruptuari.
“Kanë bërë 7 herë matje. Nuk vijë. Përse?”, pohonte një banor, ndërkohë një tjetër pohon se për 30 vite është endur në ato dyer.
Korrupsioni e ka ndjekur ngado Arben Vojën, i cili vepronte në mënyrë tepër të hapur kudo që ka drejtuar, siç është edhe rasti më poshtë që po rikthejmë në kujtesë Në dhjetor të vitit 2020, emisioni investigativ Fiks Fare në Top Channel, denoncoi një skandal që ndodhte në zyrat e Drejtorisë Rajonale të Mjedisit në Fier, të drejtuar në atë kohë pikërisht nga Voja.
“Brenda një kohe të shkurtër, gazetarët e Fiksit zbuluan skandalin, pasi për të marrë një leje në këtë drejtori duhet të paguaje nga 400 deri në 700 mijë lekë të vjetra. Sipas denoncueses, në qendër të kësaj skeme është Arben Voja, drejtor i kësaj drejtorie, i cili me disa punonjës kanë bërë procedura të dyshimta të dhënies së lejeve mjedisore në qarkun Fier”, thuhet në këtë investigim, ku denoncimi u bë nga një ish punonjëse.
Në foto: Denoncimi i emisionit investigativ Fiks Fare për Arben Vojën; Ryshfet 400 deri në 700 mijë lekë për lejet mjedisore në Fier
Më pas, gazetarët e Fiksit shkuan në disa biznese dhe i pyeti me kamera të fshehtë nëse kishin paguar ryshfet. Të tria subjekteve iu ishte refuzuar fillimisht leja e mjedisit, teksa ata rrëfyen se kanë paguar deri në 700 mijë lekë për të marrë lejen mjedisore. Një dosje e mirëfilltë penale, por që Voja me lidhjet e tij në Fier në atë kohë, e mbylli.
Punonjësja Aida K., i tha Fiksit në vitin 2020 se është dhunuar brenda ambienteve të DRM Fier, ku Arben Voja e ka dhunuar, duke tentuar ta nxjerrë me forcë nga ambientet e kësaj drejtorie. Për ngjarjen kishte edhe një filmim, ku drejtori e kërcënon disa herë. Këtë ngjarje, e kishte denoncuar në ministri dhe në AKM, por askush nuk reagoi!
Mosreagimi lidhej për shkak se Voja ishte një militant dhe patronazhist i thekur i Partisë Socialiste. Megjithëse ka mbajtur detyra të rëndësishme shtetërorë, ku nuk lejohej të bënte fushatë apo të mbante poste në PS, Voja ka qenë kryetari i PS-së në Njësinë Administrative Topojë në Fier. Vite më parë, Voja ka qenë edhe kryetar i Komunës së Topojës, në territorin e së cilës u bë edhe mbivendosja dhe tjetërsimi i 44 mijë metrave katrorë, për të cilën është sot në qeli.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016