
Një sipërfaqe e stërmadhe prej 1 milionë metra katrorë, tokë bujqësore, do të kthehet në një park të stërmadh fotovoltaik. Qeveria ka zbardhur lejen e zhvillimit për impiantin e radhës, sërish në qarkun e Fierit, i cili dita-ditës po kthehet në “kryeqytetin” e këtyre centraleve, ku personat kryesorë që kanë lejuar këtë masakër në tokat pjellore, janë kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, dhe drejtuesja politike e atij qarku, deputetja Belinda Balluku.
Nga njëra anë bashkia ka lejuar tjetërsimin e tokave bujqësore, madje në shumë raste ka bërë ankande fiktive për dhënien në përdorim shumë vjeçar, e nga ana tjetër, institucionet në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës, kanë miratuar me shpejtësi dokumentet e lejes, duke i dërguar nga Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Duket një skemë e mirëfilltë përfitimi, ku firma të lidhura shumë ngushtë me mazhorancën, apo eksponentë të saj, kanë marrë leje për prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet rrezeve të diellit.
Vox News hulumtoi dokumentet e kësaj leje zhvillimi, e cila ka si objekt “ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike, me kapacitet prodhues 100 Më dhe veprave ndihmëse”, me vendndodhje në fshatin Povelçë, Bashkia Fier. Subjekti ndërtues është “Euron Solar Pv”, me pronar Gëzim Çela dhe Kujtim Shpata.
Në dokumentet shoqëruese, rezulton se vendi ku do të ngrihet centrali është një tokë bujqësore, ngjitur me autostradën Fier-Vlorë, më saktësisht në By-Passin e ri. Duket se, krahas lejeve në brendësi në Seman, Darëzezë e në disa fshatra afër detit Adriatik, radha i ka ardhur edhe tokave bujqësore.



Në të njëjtin dokument përcaktohet se, vendi ku do të ndërtohet parku në fjalë është me emërtim “tokë bujqësore 100 %”. Megjithatë, hartuesit e projektit apo edhe ata që e miratuan janë kujdesur të shkruajnë se toka nuk është shumë pjellore, pa produktivitet, të lë dhe “pa fryt”. Duket se, plani i qeverisë është shndërrimi i të gjithë tokave bujqësore në atë zonë në parqe të tilla, teksa dëmet me këto leje janë të mëdha.
Si mund të japësh leje për park të tillë në një tokë bujqësore? Nëse vendet e tjera parqet i japin në kodra e male, qeveria jonë ka menduar që të “prodhojë” energji elektrike në këto toka pjellore. Duket se, mundi i inxhinierëve që kthyen këto toka në bujqësore, ka shkuar dëm, pasi me vetëm një të rënë të lapsit, qeveria dhe institucionet po i zhbëjnë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016