
Ajo që ka ndodhur me Elisa Spiropalin, që brenda pak muajsh, nga një zyrtare e lartë e Partisë Socialiste, ish-kryeparlamentare dhe ministre e Jashtme, të përfundojë jashtë partie, është një non sens i madh.
Është non sens, sepse nuk ka asnjë argument të qenësishëm, për përjashtimin nga Partia Socialiste.
Vërtet ajo ka qenë kritike këto muajt e fundit pas shkarkimit si ministre, me prapaskenë të qartë të luftës brenda PS-së, por a është motiv për të përjashtuar dikë nga partia, pse ka kritika për mënyrën e drejtimit të partisë?
Se kur ka ardhur puna për ligjet, ajo ka votuar pro propozimeve të ardhura nga PS-ja, siç ishte rasti për reformën territoriale, pavarësisht se ka qenë kundër.
Pra i është bindur vullnetit të partisë, pavarësisht kundërshtimeve të saj, duke mos kryer asnjë shkelje.
Atëherë për çfarë shkeljesh u përjshtua?
Se ka kritikuar kryetarin?
Blendi Klosi, në një sqarim gjatë një emisioni politik, pati një shpjegim qesharak, për përjashtimin e Spiropalit dhe Ndrecës.
Sipas tij, ata janë duke shpërqendruar partinë nga fokusi kryesor, që është integrimi në BE dhe zgjedhjet e 9 majit.
Pra Qeveria dhe socialistët, sipas kësaj logjike, mund të bëjnë ç’të duan, por nuk duhet të ketë kritika, se i shpërqendrojnë.
E vërteta është, se përjashtimi i Spiropalit, më shumë se shpërqendrim, është një mesazh i Ramës për të tjerët, që në këto momente të vështira për të, mos të guxojnë të flasin dhe ta ndjekin e të jenë në një gjatësi vale me të.
Kush nuk mendon si ai, nuk ka më vend në parti.
Njësoj si shoku Enver, me Partinë e Punës!
Vetëm se, nëse e kanë ndarë mëndjen të jenë parti-kryetar një, mirë është ta heqin dhe atë trëndafilin që iu ka mbetur tek logo e partisë dhe të rikthejnë draprin dhe çekanin!
Se gjë tjetër nuk u ka mbetur për diskutim!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016