Tjetërsimi i 44 mijë m² tokë shtetërore, gjykata lë në burg drejtorin e Spitalit të Fierit

14 Nëntor 2026, 21:18Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Tjetërsimi i 44 mijë m² tokë shtetërore, gjykata

Gjykata e Fierit ka dhënë masat e sigurisë për personat e përfshirë në skemën e dyshuar të tjetërsimit të tokave në fshatin Povelçë.

Gjykata la në burg drejtorin e Spitalit të Fierit, Arben Voja, që më herët ka drejtuar Kadastrën. Pas rreth 7 orësh seancë maratonë, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtari Noel Veizi dhe prokurori Leonard Suçi vendosi masën “arrest në burg” edhe për Dilaver Shytin dhe Anila Haxhiun.

Ndërkohë, për Fjorelo Biden gjykata ndryshoi masën e sigurisë, duke vendosur tre masa ndaluese: pezullimin nga detyra, ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe detyrimin për t’u paraqitur pranë autoriteteve.

Arben Voja u arrestua më 12 nëntor 2026, në cilësinë e drejtorit të Spitalit Rajonal të Fierit, ndërsa dyshimet për veprat penale lidhen me periudhën kur ai drejtonte Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Fier. Gjatë shoqërimit në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë, Voja nuk është ndier mirë dhe është dërguar në Spitalin e Fierit, ku ka marrë ndihmë mjekësore.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Fierit, bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 44.100 metrash katrorë tokë shtetërore në fshatin Povelçë, e cila dyshohet se është kaluar në pronësi private përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara. Më pas, toka është shitur për 88.200 euro, me qëllim ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Për realizimin e skemës, dyshohet se janë përdorur certifikata pronësie të falsifikuara, kartela pasurie të manipuluara fizikisht dhe prokura noteriale me nënshkrime të marra në fletë të bardha. Hetuesit dyshojnë se për regjistrimin e sipërfaqes së madhe janë përdorur referencat e një pasurie tjetër, prej vetëm 4.000 metrash katrorë, për të justifikuar kalimin e 44 mijë metrave katrorë në pronësi private.

Arben Voja dyshohet për falsifikim dokumentesh nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim, për veprime të kryera gjatë kohës kur drejtonte Kadastrën e Fierit. Hetimet kanë ngritur dyshime se e njëjta mënyrë veprimi mund të jetë përdorur edhe për tjetërsimin e pronave të tjera shtetërore.

Prokuroria vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht rolin e secilit prej personave të dyshuar dhe për të verifikuar nëse skema është shtrirë edhe në prona të tjera.


Video