Tension gjatë protestës, dy protestues tentojnë të thyejnë me shtyllë hekuri derën e Kryesisë së Kuvendi

14 Nëntor 2026, 18:44Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tension gjatë protestës, dy protestues tentojnë të
Pamje nga incidenti

Një incident është shënuar gjatë protestës përpara Kryeministrisë, ku dy protestues janë shkëputur nga grupi dhe kanë goditur me një shtyllë hekuri derën e godinës së Kryesisë së Kuvendit.

Pas njoftimit për ngjarjen, efektivët e policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke u zhvendosur drejt vendit të incidentit dhe me të mbërritur aty kanë vendosur një kordon policor te godina e Kryesisë së Kuvendit.

Tubimi kishte nisur më herët përpara Ministrisë së Arsimit, ku studentët bllokuan përkohësisht Rrugën e Durrësit dhe ngritën mesazhin “Ne nuk harrojmë”, në referencë të përplasjeve me policinë gjatë protestave të mëparshme. Në zonë ishin angazhuar rreth 700 efektivë.

Gjatë pasdites, protestuesit u zhvendosën në disa akse të Tiranës, duke kaluar edhe nga zona e 21 Dhjetorit, përpara se të riktheheshin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pranë Kryeministrisë. Marshimi është shoqëruar me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, por edhe me slogane kundër klasës politike.

Më herët, pranë Ministrisë së Arsimit, dy kosha mbeturinash janë përfshirë nga flakët, ndërsa situata më pas u tensionua edhe pranë Kryesisë së Kuvendit. Protesta zhvillohet në ditën e 168-të të mobilizimit, me studentët që vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe të refuzojnë ofertat e qeverisë për dialog.


Video