
Kryeministri Edi Rama kërkoi një prani më të gjerë të Partisë Socialiste në territor, duke theksuar se mazhoranca duhet të rikthehet pranë qytetarëve dhe të dëgjojë nga afër shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
Gjatë fjalës në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Rama u shpreh se burimet në Tiranë janë kundër socialistëve, ndërsa theksoi se mbështetja duhet të kërkohet te qytetarët në të gjithë vendin.
"Shqipëria nuk mund të ndalet asnjë minutë pse kundërshtarët tanë nuk bien dakord me arritjet e saj. Ne nuk mund të ndalemi te arritjet tona, por duhet të kthehemi me përulësi te njerëzit për t’u përqendruar te hallet, problemet dhe kërkesat e tyre. “Prania Besnike” e provon çdo të premte se është një nga shtigjet e duhura për të ndier nga afër pulsin dhe ndjesinë e çdo komuniteti dhe për t’i dhënë politikës atë frymëmarrje të domosdoshme që ne duhet ta marrim atje, në burim. Sepse burimet këtu në Tiranë janë kundër nesh, për një mijë e një arsye. Por ne kemi burimin që s’na ka lënë në baltë asnjëherë. Prandaj ka ardhur koha e një pranie politike të shtrirë gjerësisht në territor. Edhe për faktin se, në vazhdën e zhurmës dhe tymit të ngritur në qiell, ka ardhur radha jonë të flasim”, tha Rama.
Duke folur për protestat Rama përmendi molotovët dhe dhunën në bulevard, ndërsa tha se tashmë ka ardhur radha që socialistët të flasin me qytetarët.
“Kanë folur, i kanë thënë të tëra, i kanë shkulur të tërë gurët e bulevardit, i kanë hedhur të tëra sasitë e molotovëve që nuk ishin hedhur në Shqipëri në 35 vjet liri, por fjala jonë nuk është thënë akoma. Tani është koha të flasim ne. Por të flasim në çdo lagje dhe në çdo fshat. Një mandat si ky nuk është një mandat katërvjeçar i radhës. Një mandat si ky është një mision i ngarkuar nga një popull i tërë dhe ky mision nuk zhbëhet dot nga askush. Është një mision, nuk është një leje për t’i dëgjuar njerëzit një herë në katër vite. Aq më pak një e drejtë për të mos qenë te njerëzit më shumë se çdo herë më parë", tha Rama.