“Shtet për ibret”, Lulzim Alushaj i përgjigjet Erion Braçes: Mund të fikësh mikrofonin, por jo mendjet e profesionistëve të lirë

14 Nëntor 2026, 09:21Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Shtet për ibret”, Lulzim Alushaj i përgjigjet Erion

Erion Braçe, Lulzim Alushaj

Debati mes avokatit Lulzim Alushaj dhe deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, është zhvendosur edhe në rrjetet sociale, ku të dy kanë vijuar përplasjen me deklarata të drejtpërdrejta.

Pas reagimit të Braçes, i cili thotë se Alushaj përfiton miliona nga aktiviteti i tij profesional pa paguar tatim dhe se kjo cenon drejtësinë fiskale, ka ardhur edhe kundërpërgjigjja e avokatit.

Në një postim në rrjetet sociale, Alushaj e cilëson reagimin e deputetit si vijim të asaj që e quan një qasje kërcënuese ndaj profesionistëve të lirë. Ai thotë se këta të fundit janë të pavarur dhe se çdo ditë duhet të fitojnë besimin e klientëve përmes punës së tyre, ndryshe nga politikanët që marrin votën një herë në katër vjet.

Postimi i Avokat Lulzim Alushaj

Më dërgojnë miqtë një publikim në rrjetet sociale, që Z. Erion Braçe paska bërë në distancë pas debatit që patëm në #Komisionin Parlamentar të Ekonomisë e Financave, duke vijuar me mënyrën amatore të kërcënimeve mbi fitimet që bëkan #Profesionistët e Lirë si dikur ku quanin "kulak" apo "ballist" këdo që ishte i pavarur dhe ju dilte kundër. 

Ti o Erion (mqs mu drejtove mua me Ky dhe kolegët me Këta) që shkruan me shkronja të mëdha e thua gjëra të vogla, që ditën "qorton" e natën fle me Partinë, që merr vota me premtime e më pas i mashtron qytetarët e vendit tënd, që konsideron "armik" këdo që bën punë të ndershme e fiton nga djersa e tij pa të shtrirë dorën ty dhe çdo tjetër politikani duhet të kuptosh që Profesionisti i Lirë çdo ditë të jetës së tij profesionale votohet nga klientët e tij (jo çdo 4 vjet si soji juaj) dhe po ta ripërsëris që ky shteti që ke krijuar ti dhe ju është për ibret e mos më keq.

Shikoni video më poshtë, viti 2020, premtim elektoral i PS-së që rreth 90 mijë biznese të vogla do të jenë jashtë skemës së TVSH dhe tatimit mbi të ardhurat deri në vitin 2029. Në vitin 2024 u tentua të tatoheshin profesionet e lira nga 15 - 23 %, ndërhyri gjykata kushtetuese që u ndalua masakra.

Tani disa shifra Erion që tregojnë pse shteti (mqs jemi te tatimet dhe të ardhurat), që ke krijuar ti e ku duhet të jetojmë edhe ne, është #shtetperibret

1. Afro 260 milionë € – të mbledhura nga tatim/taksat dhe investime publike të parealizuara.

2. Afro 578 milionë € – hendeku i TVSH-së.

3. Diku te 24.6% – TVSH e pambledhur ndaj detyrimit potencial.

4. 51,000 € – pragu i ri i TVSH-së, ose 50% – ulja e pragut të TVSH-së.

Përse kërkoni akoma tatime Erion?

Qeverisje duke tatuar, taksuar e mbledhur lekët e shqiptarëve e më tej duke mos i futur në ekonomi por duke kërkuar e marrë akoma më shumë nga xhepat tanë e bën #shtetperibret o Erion. Mbytini fare dhe ato profesione e biznese që mbijetojnë me mund e sakrifica, prapë ju do mblidhni ato para por sdo dini ti realizoni në politika dhe investime o Erion. 

Profesionistët e lirë, që janë të vetëm e shumë shpesh përballë çdo pushteti, të ftojnë ty dhe këdo tjetër politikan të çdo krahu tu dilni përballë dhe të bisedoni që të prekni realitetin dhe reflektoni në vendimet që do të merrni.

Sa për opinionin që kanë qytetarët mbi #shtetperibret ndiq komentet e tyre! 

p.s. mund të fikësh mikrofonin por nuk fik dot mëndjet dhe shpirtrat e qindra mijëra Profesionistëve të Lirë që janë dhe do jenë të pavarur e të bashkuar kundër çdo padrejtësie.

 


Video