Vendosja e Albana Koçiut në drejtimin e Partisë Socialiste në Bashkinë e Tiranës duket se është vetëm faza publike e një procesi që, sipas burimeve të Vox News, ka nisur prej disa javësh në prapaskenë.
Burime brenda Partisë Socialiste bëjnë me dije se Belinda Balluku prej rreth tre javësh ka nisur të punojë me strukturat socialiste në Tiranë, duke kërkuar riorganizimin dhe mobilizimin e tyre në funksion të betejës së ardhshme për kryeqytetin.
Sipas të njëjtave burime, lëvizjet e Ballukut kanë pasur si objektiv politik forcimin e pozicionit të Albana Koçiut, për të bindur e cila Edi Ramën si një nga emrat për garën e ardhshme për Bashkinë e Tiranës.
Kjo, sipas informacionit të Vox News, është edhe një nga arsyet kryesore përse Rama vendosi Koçiun në drejtimin e strukturave socialiste të kryeqytetit.
Vendimi formal u bë publik gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së, ku Albana Koçiu dhe Ervin Demo u propozuan si bashkëkryetarë të Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës.
Në publik, PS ende nuk ka shpallur zyrtarisht kandidatin për Bashkinë e Tiranës. Edhe Taulant Balla deklaroi në Asamble se partia duhet të zhvillojë një proces përzgjedhjeje dhe për Tiranën të zgjedhë kandidatin që, sipas vlerësimit të PS-së, maksimizon rezultatin elektoral.
Por brenda strukturave, sipas burimeve të Vox News, Koçiu po mbështetet nga Balluku fuqimisht, pasi siç thuhet në korridoret e PS thuhet se e ka ushtaren e saj të përbetuar për ta vendosur në krye të Bashkisë së Tiranës.
Pikërisht kjo zgjedhje ka hapur edhe një debat të fortë brenda socialistëve.
Burime të Vox News bëjnë me dije se një grup figurash të PS-së nuk janë të bindur se Albana Koçiu është kandidatura që i garanton partisë rezultatin që kërkon në Tiranë.
Një nga zërat më kritikë ka qenë Pandeli Majko. Gjatë diskutimeve të brendshme në Asamble, Majko ka ngritur shqetësimin për gjendjen elektorale të socialistëve në kryeqytet dhe ka paralajmëruar se situata është shumë më problematike nga sa paraqitet publikisht.
“Dua të them diçka që ju s’keni asnjëri guxim ta thoni, por të gjithë e mendoni: Tiranën e kemi të humbur. Nëse bëhen zgjedhje sot, ne nuk fitojmë”, ka thënë Majko pas pompimit që Rama i ka bërë Koçiut.
Por shqetësimi nuk ka qenë vetëm i Majkos. Edhe socialistë të tjerë kanë shfaqur rezerva për mënyrën se si po ndërtohet strategjia për Tiranën dhe për emrin që mund të përfaqësojë PS-në në garën për bashkinë.
Ajo që tashmë është e qartë edhe nga komunikimi publik i socialistëve është rëndësia që Tirana ka marrë në strategjinë e PS-së për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027.
Gjatë Asamblesë është kërkuar që vëmendja kryesore e strukturave të përqendrohet te kryeqyteti, ndërsa drejtuesit socialistë kanë folur hapur për intensifikimin e punës organizative dhe pranisë në terren.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016