
Partia Socialiste zhvilloi sot punimet e Asamblesë Kombëtare në Gjirin e Lalëzit, në Durrës.
Në fokus të diskutimeve ishte riorganizimi i strukturave të partisë dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027.
Asambleja e PS-së solli shkarkimin e Erion Veliajt nga drejtimi i partisë në Tiranë, ku në vend të tij u emëruan si bashkëdrejtues Ervin Demo dhe Albana Koçiu/ Po ashtu, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca u larguan nga të gjitha forumet drejtuese të PS-së, por mbeten anëtarë të partisë.
Sakaq, të qenit në izolim e “amnistoi” Erion Veliajn nga përjashtimi nga Partia Socialiste, duke mbetur anëtar i thjeshtë, pa asnjë pozicion drejtues.
“Nuk përjashtohet se ka një element human, se i ka duart e lidhura. Në rast të kundërt do të ishte jashtë”, mësohet të jetë shprehur Rama në Asamblenë e PS-së.
Por kryesocialisti kërkoi përjashtimin nga partia të Plarent Ndrecës, avokatit të Veliajt. Gjatë fjalës të mbledhjes me dyer të mbyllura, mësohet se Rama akuzoi Ndrecën dhe Veliajn se po gënjenin lidhur me akuzat që kanë hedhur në publik se kryebashkiaku është kërcënuar me rëndim të pozitës penale dhe se i është kërkuar dorëheqja nga drejtimi Bashkisë së Tiranës.
“Ndreca në të gjitha daljet publike gënjen. Nuk e kuptoj se çfarë haku po merr ndaj PS-së, e cila e ka vënë në pozita të larta e deputet. Gënjejnë që të dy. E kanë për nevojat e tyre apo jo, kjo është historia e tyre. Nuk e meriton PS-ja gjithë këtë që po i bëjnë”, mësohet të ketë thënë Rama.
“Gënjen për takimin me mikun e bashkëpunëtorin më të ngushtë, madje me pastorin”, mësohet të jetë shprehur gjithashtu kryeministri. Ai kundërshtoi edhe pretendimet e Veliajt për bisedat me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu.
“Nuk janë të vërteta bisedat e pretenduara të Veliajt me ministrin Gogu, janë të sajuara”, mësohet të ketë deklaruar Rama.
Rama mësohet të jetë shprehur “Plarent Ndreca, anëtar i kësaj partie që po i bëka persekutim. Atëherë të ikë nga kjo parti e të bëjë avokatin. Nuk ka më lidhje me këtë parti, do të jetë jashtë kësaj partie”.