Asambleja e PS, reagon Bardhi: Rama i kapur shah-mat nga Balluku! Po bën pazare me segmente të SPAK-ut

14 Nëntor 2026, 15:52Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Asambleja e PS, reagon Bardhi: Rama i kapur shah-mat nga Balluku! Po
Balluku, Rama dhe Berisha

Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi ka reaguar në rrjetet sociale pas mbylljes së punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste.

Bardhi ka komentuar deklaratat e Ramës se nuk i është bërë mburojë askujt në PS ndaj drejtësisë, as Ballukut dhe as Veliajt.

Por Bardhi mendon se Rama “është i kapur mat me rastin e ish-zv.kryeministres”.

Kjo për faktin se sipas Bardhit, mazhoranca e i bëri “avokatinë korrupsionit të Ballukut me 82 kartona në parlament, për të mos lejuar heqjen e imunitetit pas kërkesës së SPAK”.

Ai ka hedhur sërish akuza ndaj SPAK, duke deklaruar se kryeministri “po bën pazare me segmente të SPAK-ut”.

Reagimi i Bardhit:

EDI RAMA, SHAH-MAT ME BELINDA BALLUKUN

Në rastin e Belinda Ballukut, Edi Rama është kapur shah-mat. Sado të përpiqet të lajë duart, nuk mund të fshehë përgjegjësinë e tij për operacionin politik të mbrojtjes së Belinda Ballukut nga drejtësia.

Nuk duhen fjalët e Edi Ramës për të zbuluar mashtrimet e tij. Mjaftojnë veprat.

82 vota të shumicës së tij qeverisëse, më 12 mars 2026, refuzuan kërkesën e SPAK-ut për autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut.

Kjo është avokatia e Edi Ramës për Belinda Ballukun: jo me fjalë, por me kartonë në Parlament.

Këtë vendim e ka evidentuar edhe Komisioni Europian në raportin e fundit për Shqipërinë, duke ngritur shqetësime serioze për kontrollin dhe balancën ndërmjet pushteteve, si dhe për respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.

Edi Rama mund të jetë peng i Belinda Ballukut. Mund të jetë në pazar me segmente të SPAK-ut për të ndarë pushtetin e korruptuar, por Shqipëria nuk meriton të mbetet peng i tyre.

Rruga europiane e Shqipërisë nuk mund të mbahet peng nga korrupsioni, mbrojtja politike e Belinda Ballukut dhe pazaret e drejtësisë politike.

 

 


Video