
Teksa fliste për çështjen e Belinda Ballukut, kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësimin për numrin e lartë të personave në paraburgim në Shqipëri, duke deklaruar se vendi ka dyfishin e të paraburgosurve krahasuar me Rusinë.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se hetimet dhe gjykimet duhet të jenë të pavarura, por kërkoi më shumë balancë mes drejtësisë dhe lirive të individëve, duke kujtuar se çdo person prezumohet i pafajshëm deri në momentin e shpalljes fajtor nga gjykata.
Ai bëri të ditur gjithashtu se paketa e re për këtë çështje është në proces konsultimi.
"Kemi dyfishin e të paraburgosurve të krahasim me Rusinë. Ne nuk jemi barbarë, patjetër që jemi për hetime dhe gjykime të pavarura, por ka edhe disa balanca dhe liri të njerëzve. Nuk jemi në mesjetë kur turma kërkon gjak. Se nesër vjen te tjetri e tjetri dhe ligji nuk ka lidhje fare me figurat e larta, as me veprat që lidhen me SPAK, por ka të bëjë me shumë bij nënash që janë të pafajshëm deri në momentin kur gjykohen. Të rrinë në burg? Po pse?. Mbajmë në burg pa gjyq edhe turistë të huaj, kalamaj që i kapim me hashash dhe i presim të gjykohen. Paketa e re është në konsultim", tha Rama.