
Një fotografi e Natalie Harp, e ulur pranë presidentit amerikan Donald Trump gjatë samitit në Filipine, është bërë virale në rrjetet sociale.
Asistentja ekzekutive 35-vjeçare u shfaq në sallën e takimit me një fustan elegant blu, e ulur pranë disa prej figurave më të rëndësishme të administratës amerikane. Prania e saj në një tryezë ku ishin mbledhur anëtarë të kabinetit dhe këshilltarët kryesorë të presidentit ka ngritur pikëpyetje për rolin dhe ndikimin që ajo ka fituar pranë Trumpit.
Harp ishte pjesë e delegacionit amerikan në takimin e mbajtur të martën në Manila, të organizuar nga presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr. Në të njëjtën tryezë ndodheshin shefi i kabinetit Stephen Miller, zëvendësshefi i kabinetit Dan Scavino, sekretari i Tregtisë Hoëard Lutnick, sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio. Fakti që një asistente ekzekutive u përfshi në një takim të këtij niveli, mes zyrtarëve më të lartë të administratës, ka rikthyer vëmendjen te pozicioni i saj gjithnjë e më i rëndësishëm në rrethin e ngushtë të presidentit.

Që prej janarit 2025, kur iu bashkua stafit të Shtëpisë së Bardhë, Harp është shfaqur gjithnjë e më shpesh në krah të Trumpit, duke u konsideruar një prej mbështetëseve më besnike të tij. Ajo ka fituar edhe nofkën “printerja njerëzore”, për shkak të zakonit për t’i përgatitur dhe printuar presidentit artikuj mediatikë që flasin pozitivisht për të.
Përveç kësaj, ajo e ndihmon Trumpin në publikimin e postimeve në platformën e tij Truth Social, duke u bërë një prej personave që kujdesen për komunikimin e tij të përditshëm.

Sipas NYT, ndikimi i Harp është reflektuar edhe në organizimin e punës brenda Shtëpisë së Bardhë. Asaj i është caktuar një zyrë e re, më pranë asaj të Trumpit sesa zyrat e shumë këshilltarëve të tjerë të presidentit. Madje, sipas raportimeve, ajo ka marrë përsipër edhe filtrimin e personave që lejohen të kontaktojnë Trumpin në telefonin e tij celular. Këto detaje kanë shtuar interesin për figurën e 35-vjeçares, e cila, ndonëse nuk mban një post të lartë politik, duket se ka fituar një akses të veçantë te presidenti amerikan.