
Çfarë ndodh gjatë paralizës së gjumit? Neuroshkencëtari i Harvardit shpjegon pse kjo përvojë duket kaq reale dhe si mund ta përballojmë
Paraliza e gjumit është gjendja kur njeriu zgjohet, por për disa çaste nuk mund të lëvizë dhe as të flasë. Shpesh, në këto momente ai ndjen ose sheh “dikë” në dhomë, gjë që e bën përvojën shumë të frikshme.
Neuroshkencëtari i Harvardit, Baland Jalal, e përjetoi vetë këtë gjendje kur ishte 18 ose 19 vjeç dhe që atëherë ia ka kushtuar karrierën studimit të saj.
Në një intervistë për The Guardian, ai shpjegon pse ndodh dhe pse duket kaq reale.
Në fazën e gjumit REM, kur ëndërrojmë, truri e mban trupin të paralizuar, që të mos lëvizim gjatë gjumit. Ndonjëherë, një pjesë e trurit zgjohet para kohe, ndërsa trupi mbetet ende i paralizuar. Pikërisht kjo përzierje mes gjumit dhe zgjimit është paraliza e gjumit, thotë Jalal.
Kur njeriu e kupton se nuk mund të lëvizë, truri frikësohet dhe kërkon një shpjegim. Prandaj shumë njerëz ndiejnë se dikush u ulet mbi gjoks ose po u afrohet. “Ky është një halucinacion i vërtetë. Ndihesh zgjuar, e megjithatë sheh diçka”, thotë Jalal.
Kjo përvojë nuk është aq e rrallë sa mendohet. Sipas një përmbledhjeje të 35 studimeve, rreth 8 për qind e njerëzve e kanë pasur të paktën një herë.
Edhe besimet ndikojnë në këtë përvojë. Në një studim tjetër, Jalal krahasoi Egjiptin, ku shumë njerëz besojnë se paraliza e gjumit shkaktohet nga xhindët, me Danimarkën, ku shumica e lidhin me stresin. Rezultati tregoi se në Egjipt kjo përvojë ishte pothuajse dy herë më e shpeshtë.
Egjiptianët që besonin se pas saj fshihej diçka e mbinatyrshme kishin më shumë frikë dhe mbeteshin të paralizuar më gjatë. Sipas Jalal, frika e përkeqëson situatën, njeriu fillon të ketë frikë të flejë, bëhet më i shqetësuar dhe kështu episodet përsëriten.
Lajmi i mirë është se episodet zakonisht zgjasin nga disa sekonda deri në disa minuta. Për ata që e kanë shpesh, Jalal këshillon të mbyllin sytë, të kujtojnë se gjendja është e padëmshme dhe të mendojnë për diçka që i qetëson, pa u përpjekur të lëvizin.
Një studim i vogël në Itali, me pacientë që e përjetonin paralizën e gjumit shumë shpesh, gjeti se kjo metodë i përgjysmoi episodet.