
Aktori anglez, Robert Pattinson, do të jetë fytyra e re e rolit ikonik të kinematografisë, James Bond. Në llogaritë zyrtare të filmit dhe vetë aktorit u postua një video e shkurtër e Pattinson në pozën e famshme të agjentit sekret.
“James Bond është një nga personazhet më legjendarë të kinemasë dhe të më besohet roli i agjentit 007 është nderi i jetës sime. Jam thellësisht mirënjohës ndaj Denis, Amy, David, Tanya dhe të gjithë ekipit të Amazon MGM Studios për besimin që kanë treguar tek unë. Të them se ky rol është një ëndërr e bërë realitet do të ishte pak. Nuk mund të isha më i emocionuar për këtë bashkëpunim dhe për punën që na pret me këtë ekip fantastik”, tha vetë aktori.
Regjisori i filmit të ardhshëm të James Bond, Denis Villeneuve, ka vlerësuar gjithashtu aktorin Robert Pattinson në rolin e agjentit të famshëm.
“Para së gjithash, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për aktorët e jashtëzakonshëm që iu bashkuan këtij rrugëtimi. Ishim të rrethuar nga talent i jashtëzakonshëm, por mund të ketë vetëm një agjent 007. Jam jashtëzakonisht i lumtur të mirëpres Robert Pattinson si James Bond-in tonë të ri. Ai ka shpirtin e përjetshëm të 007 dhe sjell një frymë krejtësisht të re. Mezi pres të nis punën”, tha regjisori.
Përveç Robert Pattinson, në garë për këtë rol ishin Callum Turner, Jack Lowden, Josh O'Connor dhe Nicholas Hoult.
Më parë këtë rol e kanë luajtur yje të kinemasë si Sean Connery, Roger Moore, Timothy Dalton, Pierce Brosnan dhe Daniel Craig.