Policia ka marrë në mbrojtje avokatin Idajet Beqiri, pas shpërthimit me tritol të makinës së tij, e cila ishte regjistruar në emër të bashkëshortes, Nexhi Beqiri.
Vendimi erdhi pasi strukturat e rendit kanë vlerësuar shkallën e rrezikshmërisë ndaj jetës së tij.
Pas shpërthimit me tritol në automjetin e tij, Beqiri kishte ngritur publikisht shqetësimin se sulmi lidhej me profesionin e tij si avokat dhe me denoncimet e vazhdueshme publike.
Ngjarja që vuri në lëvizje autoritetet u regjistrua mëngjesin e 13 tetorit, në zonën e Myslym Shyrit, në rrugën “Nikolla Lena”. Një sasi lënde plasëse shpërtheu në automjetin tip “Mercedes-Benz GLE”, i cili ishte i parkuar në sheshin përpara pallatit ku banon familja Beqiri. Makina ishte në pronësi të bashkëshortes së avokatit, Nexhi Beqiri.
Në momentin e shpërthimit nuk raportohet që të ketë pasur persona në automjet apo pranë tij, ndërsa fatmirësisht nuk pati të lënduar. Megjithatë, fuqia e eksplozivit shkaktoi dëme të konsiderueshme në pjesën e pasme të makinës dhe dëmtoi edhe automjete të tjera të parkuara në afërsi. Nga vala e shpërthimit u thyen gjithashtu xhamat e disa apartamenteve në pallatin pranë.
Në orët e para pas ngjarjes, hetuesit ngritën dyshime se në sulm mund të ishin përfshirë dy persona, të cilët ende nuk janë identifikuar. Sipas raportimeve të mediave në ditën e ngjarjes, autoritetet po verifikonin edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar lëvizjet e personave që mund të kishin vendosur lëndën plasëse.
Një nga elementet që po shqyrtohej ishte edhe koha e vendosjes së eksplozivit. Sipas raportimeve të atëhershme, automjeti nuk kishte lëvizur prej disa ditësh, ndërsa hetuesit po përpiqeshin të përcaktonin se kur ishte vendosur lënda plasëse.
Edhe pse në momentet e para u ngritën dyshime se sulmi mund të lidhej me profesionin e avokatit dhe çështjet me të cilat ai është angazhuar, motivi nuk është bërë ende i ditur zyrtarisht. Deri më tani nuk ka një autor të identifikuar për ngjarjen.
Marrja në mbrojtje e Beqirit dhe familjarëve të tij vjen në një kohë kur hetimet për shpërthimin vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin rrethanat dhe të përcaktojnë përgjegjësit për sulmin.