“Shuplaka” e Komisionit Europian për AKU-në e Blerina Gjylametit: Kategorizimi i bizneseve ushqimore, me korrupsion?! 

12 Nëntor 2026, 22:05Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Shuplaka” e Komisionit Europian për AKU-në e Blerina
Blerina Gjylameti

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka nisur prej disa muajsh kategorizimin e bizneseve ushqimore, teksa kemi parë ecejaket e drejtoreshës Blerina Gjylameti dhe ministrit Andis Salla në stabilimente private, duke folur për procesin, teksa në kokë kishin vendosur qese, për t’u thënë privatëve se “jemi njëlloj si ju”. Synimi i qeverisë shqiptare është siguria ushqimore dhe bërja e dokumenteve si të Bashkimit Europian, duke ceritifkuar dhe vendosur “yje” këtyre bizneseve që prodhojnë ushqim, njëlloj siç ndodh në vendet perëndimore.

Në ndryshim nga vendet europiane, Shqipëria nuk ka asnjë praktikë sesi do t’i kategorizojë këto biznese, çfarë certifikatash do t’u japë, çfarë analizash do të bëjë apo edhe procese të tjera, të pa akredituara dhe certifikuara. Deri më sot, shumë pak stabilimente, për të mos thënë aspak, përmbushin kushtet e Bashkimit Europian, teksa dyshimet janë se kategorizimi i bizneseve mund të jetë bërë me ryshfet dhe korrupsion, duke njollosur të gjithë sistemin, që deri më tani ka qenë më i pakontrolluari, duke rrezikuar rëndë konsumatorët.

Dhe, në gjithë këtë valë veprimesh, të dyshes Gjylameti Salla, vetë Komisioni Europian i ka dhënë një “shuplakë” të rëndë qeverisë shqiptare dhe konkretisht AKU-së dhe Ministrisë së Bujqësisë, duke shkruar në një raport se kategorizimi nuk është bërë me standardet e BE-së. Por nëse nuk është bërë me ato standarde, me çfarë është bërë? A janë korruptuar zyrtarët shtetërorë të këtyre dy institucioneve që vendosën “yje” në bizneset? Nëse janë certifikuar për X apo Y produkt, çfarë sigurie kanë konsumatorët?

“Shuplaka” e Komisionit Europian për AKU-në e Blerina
Faksimile: Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë, ku në një kapitull flet për sigurinë ushqimore që s’ka asnjë progres

Raporti i Komisionit Europian është një goditje e madhe për sigurinë ushqimore në vendin tonë, ku duket se kategorizimi i operatorëve të biznesit ushqimor, nga AKU, është përballur me një provë serioze besueshmërie. Vox News ka mësuar se verifikimet e ekspertëve lituanezë, të angazhuar në projektin “EU4FoodSafety”, të mbështetur nga Bashkimi Evropian, kanë identifikuar mospërputhje të konsiderueshme me rezultatet e autoritetit shqiptar.

“Shuplaka” e Komisionit Europian për AKU-në e Blerina
Faksimile: Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë, ku në një kapitull flet për sigurinë ushqimore që s’ka asnjë progres

Duket se, çështja prek jo vetëm cilësinë e kontrolleve, por edhe integritetin e vendimmarrjes dhe përgatitjen e Shqipërisë për standardet evropiane të sigurisë ushqimore. Redaksia jonë ka mësuar se AKU e zhvilloi kategorizimin në zbatim të urdhrit me numër 329, të datës 26 mars 2026 dhe sipas legjislacionit e procedurave kombëtare. Kjo nuk ishte një listë thjesht orientuese: klasifikimi kombëtar mund të shërbejë si bazë për pasoja juridike dhe administrative, përfshirë masa sanksionuese kur plotësohen kushtet ligjore. Pikërisht kjo fuqi krijon rrezikun që vlerësimi të përdoret si instrument presioni ndaj bizneseve.

A janë kërcënuar subjekte me kontrolle, gjoba apo kategorizim të pafavorshëm për t’u kërkuar pagesa të paligjshme? A janë favorizuar operatorë të caktuar përmes vlerësimeve më të buta? Këto janë dyshime që duhen hetuar, jo fakte të provuara nga dokumenti teknik. Prokuroria duhet të verifikojë procesverbalet, vendimet administrative, ndryshimet në klasifikim, denoncimet e mundshme dhe përgjegjësinë në të gjithë zinxhirin e inspektimit e vendimmarrjes.

“Shuplaka” e Komisionit Europian për AKU-në e Blerina
Faksimile: Në kapitullin numër 12, të raportit të KE-së, flitet për sigurinë ushqimore në Shqipëri

Ekspertët e Shërbimit Shtetëror Veterinar dhe Ushqimor të Lituanisë përdorën lista kontrolli të harmonizuara me acquis të BE-së. Sipas analizës së rezultateve, listat e përdorura nga AKU nuk mbulojnë të gjitha kërkesat evropiane dhe kategorizimi fillestar nuk kishte marrë plotësisht parasysh fleksibilitetin e zbatueshëm për stabilimentet e vogla. Diferencat nuk konsiderohen vetëm raste të veçuara, por tregues të dobësive metodologjike dhe sistemike.

Sipas tyre, qumështi: 5 nga 6 stabilimente u kategorizuan më favorshëm nga AKU sesa rezultoi në verifikimin teknik.

“Produktet e peshkimit: të 6 stabilimentet e verifikuara morën kategorizim më të favorshëm nga AKU. Mishi i shpendëve: të gjitha stabilimentet e verifikuara rezultuan të vlerësuara më favorshëm nga AKU. Mishi i kuq: të 6 stabilimentet ishin vendosur nga AKU në kategorinë 2, ndërsa verifikimi teknik evidentoi mospërputhje kritike në secilin”, thuhet në raport.

Gjithashtu, mospërputhjet përfshijnë kontrollet HAÇP, monitorimin laboratorik, kriteret mikrobiologjike, gjurmueshmërinë dhe zinxhirin e ftohtë. Sipas materialit të analizuar, rreth 97% e stabilimenteve të vlerësuara me listat aktuale nuk përmbushin kërkesat e legjislacionit shqiptar. Kjo shifër dhe rezultatet krahasuese kërkojnë transparencë të plotë për metodologjinë dhe dosjen e secilit subjekt.

(Vijon ...)

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video