Daniel Shima, ish-nëndrejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, është një nga personazhet më enigmatikë të dosjes AKSHI, ku nën akuzë janë vënë disa zyrtarë dhe biznesmenë, teksa deri më tani nuk ka asnjë masë të fortë shtrënguese për “pengun”. Vox News ka raportuar në vijimësi për abuzimet e këtij personi, i cili në disa raste hiqet si viktimë, madje pati edhe një denoncim për zhdukje, e në raste të tjera ka vepruar hapur, duke favorizuar biznesmenë të fuqishëm.
Deri më sot, Prokuroria e Posaçme ende s’e ka ndarë mendjen se si t’a quajë Shimën; një nga krerët e bandës, organizator, administrator, bashkëpunëtor apo viktimë. Por, fakt është se, gjatë kohës që ka qenë në një nga postet drejtuese në atë institucion, ai, familja dhe miqtë e tij, kanë shumëfishuar pasuritë, kanë marrë leje ndërtimi, blerë troje, apartamente, apo hapur biznese të shumta, me para që ende nuk iu është gjetur origjina, të paktën me dokumente, pasi realiteti është se janë nga AKSHI.
Në këto radhë, redaksia e Vox News do të ndalet te një procedurë tenderuese e vitit 2022, ku Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, finalizoi në atë kohë një tender me vlerë rreth 2 milionë euro. Por, faktet e renditura më poshtë janë një dosje e mirëfilltë kriminale, pasi e njëjta firmë që mori në mënyrë të dyshimtë këto para’ nga AKSHI, ka prerë fatura me një firmë, ku pronare ka qenë nëna e ish nëndrejtorit Daniel Shima. A mos vallë janë haraçi i këtij tenderi?!
Redaksia e Vox News investigoi procedurën e vitit 2022, ku në qendër të kësaj historie janë firmat “A.E. Distribution” dhe “Premium Glass”. Nga njëra anë, firma e parë mori tenderin me vlerë 176 milionë lekë, ose me kursin e sotëm, rreth 2 milionë euro, teksa firma “Premium Glass” përfitoi 3 fatura të prera nga e njëjta firmë që fitoi edhe procedurën nga AKSHI, me vlerë rreth 100 mijë euro.
Dokumenti i mësipërm, i siguruar nga Vox News, është njoftimi i shpalljes së fituesve, i dalë nga AKSHI, për një bashkim operatorësh “OVLA Systems” dhe “A.E. Distribution”. Objekti i procedurës është ngritja e regjistrave profesionalë mjekësorë. Në krye të firmës “A.E. Distribution” është Gerian Kuka, i cili zotëron 100 % të kapitalit.
Sipas dokumenteve, tenderi i mësipërm është finalizuar në muajin dhjetor të vitit 2022. Ndërkohë, disa muaj para se të merrte këtë procedurë, një nga firmat që mori pjesë si BOE, preu 2 fatura për kompaninë Premium Glass. Ndërkohë, fatura e tretë për firmën Alu glass është prerë në muajin prill të vitit 2023, pra pasi kompania mori tenderin e majmë.
Në total, të tria faturat kanë një vlerë prej 9.306.525 lekësh, ose rreth 100 mijë euro. Dokumentet janë të hapura dhe mjafton një verifikim nga organet ligjzatuese për të përcaktuar nëse kjo shumë është përdorur si ryshfet për të fituar tenderin, apo është bërë punë konkrete. Datat e faturave ndodhen në Drejtorinë e Tatimeve, ku ato të Premium Glass janë prerë në 3 nëntor dhe 7 dhjetor 2022. Ajo e Alu Glass në datën 25 prill 2023.
Skandali thellohet më tej për shkak se, gjatë kohës që firma Premium Glass bënte biznes me “A.E. Distribution”, në krye të firmës Premium ishte Merita Shima, nëna rrobaqepëse e Daniel Shimës, i cili në atë kohë ishte nëndrejtor i AKSHI-t. Pra, një pjesë e parave që firmat morën nga AKSHI dyshohet se ia dhanë firmës në pronësi të familjarëve të një zyrtari të lartë shtetëror.
Vox News ka raportuar edhe më herët se, për të humbur gjurmët nga këto kompani, nëna e Daniel Shimës, ia shiti kompaninë për një copë bukë Sokol Përllakut, i cili dyshohet se është një prestanome i Daniel Shimës. Shitja mund të jetë bërë fiktive, teksa dokumentet janë verifikuar edhe nga Prokuroria e Posaçme.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016