Drejtoresha e Tatimeve të Tiranës, Erilinda Lala, ka ngritur një pasuri të çmendur brenda dy vitesh, që nga emërimi i parë në muajin shtator 2024 në kabinetin e Ministrisë së Financave, e deri në ditët e sotme, ku emri i saj flitet edhe si Drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve. Me lidhje tepër të forta brenda mazhorancës, 40-vjeçarja nga Borshi i Himarës, ka ngritur me shpejtësi shkallët e karrierës, teksa në të njëjtën linjë është edhe pasuria e saj.
Dokumentet e hulumtuara nga Vox News hedhin dritë mbi dhjetëra transaksione tepër të dyshimta të Erilindës dhe “shoqërisë” së saj, duke themeluar fillimisht një kompani ndërtimi, duke marrë licenca dhe, në një ditë të bukur, në momentin që emërohet në zyrat shtetërore, pranë kabinetit të ministrit Petrit Malaj, vendos që aksionet t’ia dhurojë një shoqes së saj.
Dyshimet janë se, dhurimi është bërë tepër fiktiv, pasi në momentin që Lala bën këtë transaksion, firma në fjalë ndryshon emër dhe aksioner, teksa çuditërisht merr një super leje nga qeveria për të ndërtuar një hotel 15 katësh në zonën e Qerretit.
Por, le t’i analizojmë me radhë dokumentet që ndodhen në zyrat e shtetit dhe janë një dosje e denjë për Prokurorinë e Posaçme, për fshehjen e pasurive të zyrtarëve të lartë shtetërorë, transaksionet e dyshimta, këto të gjitha nën dyshimin e fortë të pastrimit të parave.
Në datën 8 qershor 2023, drejtoresha e Tatimeve të Tiranës, Erilinda Lala, themelon kompaninë “Gea Construction” shpk, me një kapital të ulët. Erilinda ka 50 % të aksioneve dhe Marsida Dedej po 50 % të aksioneve. Objekti i firmës është për ndërtim të të gjitha llojeve të strukturave.
Deri në vitin 2024, kompania kishte marrë licenca për ndërtime, teksa deklaronte xhirime dhjetëra mijëra euro. Një kompani me fitime, por që Erilinda Lala vendos që t’ia dhurojë “shoqes” nga Kavaja. Në muajin shtator të vitit 2024, Erilinda Lala emërohet fillimisht këshilltare e ministrit Petrit Malaj, ndërsa në muajin nëntor po të atij viti, ngjitet në hierarki.
Por, gjatë këtyre muajve të parë në administratën shtetërore, Erilinda vazhdonte ta mbante firmën, teksa në datën 16 dhjetor 2024 paraqitet para një notere dhe vendos që t’ia dhurojë aksionet Marsida Dedejt. Dyshimet janë se, kontrata është bërë fiktive, vetëm e vetëm që të humbasë gjurmët, pasi veprimet e mëvonshme dhe favorizimet e kësaj firme, lënë shumë vend për dyshime.
Më pas, aksionerja e re, Marsida Dedej, vendos që të ndryshojë emrin e firmës, nga “Gea Construction” në “2D Construction 2025”. Ndryshimi u bë në vitin 2025, ndërkohë që në muajin korrik të atij viti, firma në fjalë merr një leje nga Këshilli Kmbëtar i Territorit dhe Ujit.
Bëhet fjalë për vendimin e datës 23 korrik 2025, me numër 16, KKTU vendosi të miratonte “leje ndërtimi për objektin ‘godina banimi, shërbimi dhe hotel 3, 8, 10, 12 dhe 15 kate mbi tokë, me 2 kate parkim nëntokë’, me vendndodhje në Qerret, Bashkia Kavajë, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘2D Construction 2025’ sh.p.k”.
Vërtetë s’e ka ditur Erilinda që firma që ajo themeloi do të përfitonte këtë leje në Kavajë?! Aq më tepër, nga bashkëortakja e saj, Marsida Dedej, e cila dyshohet se është “prestanome” në këtë rast.
9 muaj pasi firma në fjalë mori lejen e ndërtimit në zonën e Qerretit në Kavajë për të ndërtuar godinën 15 katëshe, aksionerja e firmës Marsida Dedej ia shet aksionet z. Drimon Dedej. Nëse do të shohim të dhënat nga Qendra Kombëtare e Biznesit, rezulton se Drimoni ka qenë mjaft aktiv në QKB, me firma të tjera të tregtimit të naftës, me kompani mjedisi apo edhe të plehrave. Madje, është bashkëortak në disa kompani të tjera, disa prej të cilave s’kanë publikuar as bilancet.
Ka dyshime se, sërish ky transaksion është bërë për të fshehur gjurmët e Erilinda Lalës, nga ndryshimi i emrit e deri te ndryshimi i pronarit. Por, faktet janë tepër reale, madje të hapura, ku mjafton një hetim nga institucionet ligjzbatuese dhe do të faktojnë një dosje të stërmadhe, ku të përfshirë janë drejtues të institucioneve.
Nëse deri më tani kemi faktuar se, emri i Erilinda Lalës lidhet me një supër leje në zonën e Qerretit dhe tantativave për t’a fshehur, familja e saj ka në pronësi një godinë 4 katëshe, bar, restorant dhe hotel në zonën e Borshit, në Sarandë.
Emisioni investigativ “Fiks Fare” në Top Channel faktoi disa ditë më parë nëpërmjet dëshmive dhe dokumenteve se pas hotelit “Take” fshihet drejtoresha e Tatimeve të Tiranës. Banorët e zonës thanë njëzëri se godina është në pronësi të Erilindës, një pronë të cilën nuk e ka deklaruar deri më tani në ILDKPKI.
Por, skandali thellohej më tej për shkak se, nëna e drejtoreshës, Teuta Lala, nuk priste fatura akomodimi në atë strukturë. “Mos prit faturë, ta rregullojmë”, tha ajo, teksa i mori bashkëpunëtores së Fiks Fare një shumë prej 10 mijë lekësh të rinj, duke mos i dhënë asnjë dokument.
Ndërkohë, Vox News ka mësuar se, një nga ortaket e Erilinda Lalës, ka në pronësi një hotel luksoz në zonën e Vlorës. Pronare është bërë në vitin 2026, ku dyshimet janë se, mund të jetë një tjetër pronë e fshehur e Erilinda Lalës. Pra, pasuri në Borsh, Qerret dhe Vlorë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016