Inspektorja/Prokurore Elsa Miha, përfaqësuese e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), ka kërkuar në seancën e sotme pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor shkarkimin nga detyra të gjyqtares Ajshe Xhafa.
Në qendër të hetimit disiplinor janë 343 vendime të paarsyetuara dhe pesë shkelje disiplinore të pretenduara, që lidhen me zvarritjen e proceseve gjyqësore, cenimin e etikës, konfliktin e interesit, mospërmbushjen e funksioneve gjyqësore dhe mungesat në punë.
Sipas parashtresave të ILD-së, problematikat kanë prekur edhe çështje penale, ndërsa vonesat në arsyetimin e vendimeve kanë arritur deri në dy vite. Hetimi ka evidentuar gjithashtu raste kur gjyqtarja nuk ka kërkuar heqjen dorë nga gjykimi i çështjeve që përfshinin familjarë të saj.
Tashmë përballë kërkesës së ILD-së për masën më të rëndë disiplinore, fjalën e fundit e ka KLGJ-ja.