Plarent Ndreca: Rama më akuzon se nxis Veliajn të shkëputet politikisht prej tij

17 Nëntor 2026, 16:27Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Plarent Ndreca: Rama më akuzon se nxis Veliajn të shkëputet

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka bërë të tjera deklarata lidhur me takimin e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me klientin e tij në qeli, si dhe për raportet me kryeministrin Edi Rama.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Ndreca përsëriti pretendimet se gjatë takimit në burg, ministri Gogu i ka bërë presion Veliajt lidhur me mandatin e kryebashkiakut, ndryshimin e avokatit dhe çështje që kanë të bëjnë me procesin penal ndaj tij.

Avokati kërkoi një hetim institucional për të zbardhur rrethanat e vizitës, duke theksuar se Veliaj ka dokumentuar me shkrim atë që është diskutuar gjatë takimit.

Ndërkohë, Ndreca foli edhe për pakënaqësinë që, sipas tij, kryeministri Edi Rama ka shprehur ndaj rolit të tij si këshilltar ligjor i Veliajt. Sipas avokatit, Rama e konsideron atë si personin që nxit kryebashkiakun të shkëputet politikisht prej tij.

“Ajo që di unë është pakënaqësia e Ramës për qëndrimin tim, ku sipas tij unë e nxis Veliajn që të pavarësohet nga Rama. E para, nuk kam pse jap shpjegime për atë që diskutoj me klientin tim.

Kjo është e pavarur nga bindjet e mia politike apo pozicioni im politik dhe nuk ka asnjë arsye, pavarësisht nëse e kam bërë apo nuk e kam bërë. Të vërtetën e dimë unë, klienti im dhe kolegët e mi britanikë dhe amerikanë”, u shpreh Ndreca.

Ai shtoi se nuk ka dijeni për synime të tjera të kryeministrit, përveç pretendimit se Rama ka dashur ta largojë nga detyra e këshilltarit ligjor të Veliajt.

“Synimet e zotit Rama për të më larguar mua si këshilltar ligjor i Veliajt, përveç kësaj që më është thënë, nuk di tjetër.

Por nuk është e vërtetë, sepse Veliaj ka gjithë kapacitetin të marrë vendime vetë dhe të mos pyesë askënd. Ai merr vendimet dhe është i qartë për atë që bën”, deklaroi avokati.

Ndreca theksoi se komunikimi me klientin e tij është pjesë e marrëdhënies profesionale mes avokatit dhe të mbrojturit, duke kundërshtuar pretendimet se ai ndikon në vendimmarrjen politike të kryebashkiakut.


Video