“Shtyni seancën, duhet të operohem”/ Ols Dado për kërkesën e Veliajt: Gjendja s’është emergjente!

17 Nëntor 2026, 12:45Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Shtyni seancën, duhet të operohem”/ Ols Dado për
Erion Veliaj,

Gjykata e Posaçme ka vendosur të mos shtyjë seancën gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas kërkesës së tij. 

Raportohet se vendimi u mor pasi trupi gjykues shqyrtoi pretendimet e Veliajt lidhur me gjendjen e tij shëndetësore dhe kërkesën për shtyrjen e seancës, për shkak të mungesës së dokumentacionit mjekësor dhe nevojës për ndërhyrje kirurgjikale. 

Nga ana tjetër, prokurori Ols Dado pranoi problemet me gjendjen shëndetësore të Veliajt, por sipas tij, nuk është në gjendjen që t’i pamundësohet ardhja në gjyq. 

Ai solli në vëmendje edhe kërkesën e kryebashkiakut ndaj SPAK që ta lejonte të merrte pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste.

“Informacioni i sjell nga Spitali Memorial i Fierit dhe mjeku turk, paraqet situatën e Veliajt, që nuk ka gjendje emergjente. Avokati sjell informacione të njëanshme. DPB ka zbatuar korrekt procedurat dhe ndjekur strikt rregulloren. Di që ka patur komunikim mes mbrojtjes dhe burgjeve. Gjendja që përcakton mjeku turk nuk pamundëson ardhjen në gjyq, për më tepër i pandehuri kërkoi leje nga SPAK të merrte pjesë në evente, ndërsa në gjyq thotë jam në pamundësi të vij”, tha mes të tjerash Ols Dado gjatë seancës.

Gjatë diskutimeve, avokati Plarent Ndreca sqaroi se kërkesat e mëparshme për pjesëmarrje në aktivitete fizike ose përmes videokonferencës ishin bërë përpara situatës aktuale shëndetësore.

Avokati Plarent Ndreca u shpreh: “Kërkesat kanë qenë për të marrë pjesë fizikisht ose me videokonferencë, para kësaj situate”. 

Pas shqyrtimit të pretendimeve, gjykata vlerësoi se ato nuk janë provuar dhe vendosi vijimin e procesit gjyqësor pa praninë e të pandehurit.

Në vendimin e saj, gjykata deklaroi: “Pas deklaratës së të pandehurit, gjykata konstaton se pretendimi i të pandehurit mbetet i paprovuar. Gjykata vendos të vijojë këtë seancë pa praninë e tij”. 


Video