
Demokratët në Kongres do të nisin hetimet për punën e bërë nga ambasadorja e SHBA në Greqi, Kimberly Guilfoyle. Shkak janë bërë raportimet për incidente të mundshme korrupsioni, abuzimi me pushtetin dhe përdorimi i detyrës qeveritare për përfitime personale financiare.
Kryetari i ardhshëm i Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, Robert Garcia sqaroi se largimi i Guilfoyle nga posti i ambasadorit nuk e ndalon hetimin e Kongresit ndaj po kërkon ruajtjen e të gjitha dokumenteve dhe komunikimeve përkatëse që lidhen me rastin.
Akuzat, të bazuara kryesisht në raportimin e “Wall Street Journal”, kanë të bëjnë me transaksione të dyshuara për ndikim politik në këmbim të parave, si dhe me marrëdhëniet e saj me biznesmenët grekë dhe grupin “Aktor”.
“Në veçanti, ato shqyrtojnë presionin që ajo dyshohet se ka ushtruar mbi qeveritë e Ballkanit për t’i dhënë projekte grupit, si dhe akuzat për pranimin e dhuratave dhe favoreve luksoze” – thuhet në një shkrim të “Kathimerini”.
Ambasadorja amerikane pati një rol të rëndësishëm në firmosjen e marrëveshjes së nënshkruar në prill 2026 mes kompanisë shtetërore shqiptare Albgaz, grupit grek AKTOR dhe kompanisë amerikane Venture Global.
Shqipëria do të paguajë 6 miliardë dollarë në 20 vjet për të marrë gaz natyror të lëngshëm (LNG). Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë kryeministri Edi Rama, kreu i grupit AKTOR Alexandros Exarchou dhe ambasadorja e atëhershme e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, e cila e cilësoi marrëveshjen si një hap për sigurinë energjetike dhe rolin ndërlidhës të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor.