Nga ish-punonjës të OpenAI në miliarderë, historia e shtatë themeluesve të Anthropic

18 Nëntor 2026, 17:21Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Nga ish-punonjës të OpenAI në miliarderë, historia e

Në vetëm pesë vjet, Anthropic ka kaluar nga një kompani e panjohur në një prej gjigantëve më të mëdhenj të teknologjisë në botë, me një vlerë që tejkalon 1 trilion dollarë. Suksesi i kompanisë që krijoi inteligjencën artificiale Claude pritet të ndryshojë rrënjësisht edhe jetën e shtatë personave që e themeluan atë, pasi ata janë shumë pranë shndërrimit në miliarderë.

Anthropic u krijua në vitin 2021 nga shtatë ish-punonjës të OpenAI-së, të cilët vendosën të largoheshin nga kompania dhe të ndërtonin një projekt të ri. Tashmë, kompania po përgatitet të dalë në bursën amerikane, ku aksionet pritet të ofrohen me një çmim nga 70 deri në 78 dollarë secila. Nëse shitja realizohet me çmimin maksimal, pjesa që zotëron secili prej themeluesve do të ketë një vlerë prej të paktën 18.5 miliardë dollarësh.

Në krye të kompanisë është Dario Amodei, 43 vjeç, i cili më parë punonte në OpenAI, pikërisht në periudhën kur kjo kompani po bëhej e njohur në mbarë botën me zhvillimin e ChatGPT-së. I shqetësuar se brenda kompanisë fitimi ekonomik po merrte më shumë rëndësi sesa siguria e inteligjencës artificiale, ai vendosi të largohej dhe të niste një rrugë të re. Bashkë me të u largua edhe motra e tij, Daniela Amodei, si dhe pesë kolegë të tjerë.

Dario u rrit në San Francisko dhe që në moshë të re tregoi interes të madh për shkencën, teknologjinë dhe filozofinë. Fillimisht studioi fizikë në universitetet Princeton dhe Stanford, por pas vdekjes së të atit nga hepatiti C, vendosi të përqendrohej te biologjia dhe shkencat biomjekësore. Përpara se të punonte në OpenAI, ai kishte qenë pjesë e kompanive të njohura si Google dhe Baidu. Sot drejton Anthropic si drejtor ekzekutiv dhe konsiderohet një prej figurave kryesore në zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Një rol po aq të rëndësishëm ka edhe motra e tij, Daniela Amodei, 39 vjeçe, e cila është presidente e kompanisë. Ajo studionte letërsi angleze në Universitetin e Kalifornisë në Santa Cruz dhe më pas punoi në politikë dhe në sektorin financiar. Para themelimit të Anthropic, Daniela ishte pjesë e platformës Stripe, ku drejtonte operacionet e menaxhimit të riskut. Sot ajo merret me drejtimin e ekipit drejtues dhe mbikëqyr një pjesë të madhe të aktiviteteve të kompanisë, nga kërkimi shkencor dhe zhvillimi i produkteve deri te marrëdhëniet tregtare.

Një tjetër emër i rëndësishëm është Tom Brown, 39 vjeç, i cili u largua nga OpenAI bashkë me motër e vëlla Amodei. Ai kishte drejtuar ekipin që punoi për zhvillimin e GPT-3 dhe më parë kishte qenë pjesë e projektit DeepMind të Google. Përveç karrierës në teknologji, Brown ka provuar edhe sipërmarrjen, duke bashkëthemeluar një aplikacion që ndihmon grupet e miqve të organizojnë takime. Në Anthropic, ai është përgjegjës për sigurimin dhe menaxhimin e kapaciteteve kompjuterike që nevojiten për funksionimin dhe zhvillimin e sistemeve të inteligjencës artificiale.

Pjesë e grupit themelues është edhe britaniku Jack Clark, 37 vjeç, i cili vjen nga fusha e gazetarisë. Ai ka studiuar letërsi angleze dhe shkrim krijues në Universitetin e Anglisë Lindore dhe ka punuar si gazetar për media të njohura, përfshirë Bloomberg. Më pas iu bashkua OpenAI-së, ku fillimisht u mor me komunikimin dhe më vonë drejtoi politikat e kompanisë. Në Anthropic, Clark është përgjegjës për çështjet që lidhen me përfitimin publik të teknologjisë dhe drejton një institut që studion ndikimin e inteligjencës artificiale në shoqëri.

Një tjetër figurë kyçe është Jared Kaplan, 42 vjeç, i cili mban postin e drejtorit shkencor të Anthropic. Ai ka doktoraturë në fizikë nga Universiteti i Harvardit dhe është profesor i asociuar në Universitetin Johns Hopkins. Puna e tij lidhet veçanërisht me mënyrën se si zhvillohen dhe përmirësohen modelet e inteligjencës artificiale. Studimet e tij mbi të ashtuquajturat ligje të shkallëzimit kanë ndihmuar në kuptimin e mënyrës se si modelet bëhen më të fuqishme dhe më të qëndrueshme kur trajnohen me sasi gjithnjë e më të mëdha të dhënash.

Chris Olah, 34 vjeç, është një tjetër prej themeluesve dhe merret me studimin e mënyrës se si funksionojnë modelet e inteligjencës artificiale dhe si mund të kuptohen vendimet që ato marrin. Ai ka punuar më parë në OpenAI dhe Google Brain. Sipas raportimeve të New York Times, përveç kërkimeve teknologjike, Olah ka treguar interes edhe për lidhjen mes inteligjencës artificiale, moralit dhe besimit fetar, duke organizuar takime me përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare. Ai u largua herët nga studimet në Universitetin e Torontos, por më vonë përfitoi një bursë prej 100 mijë dollarësh nga programi Thiel Fellowship, që mbështet të rinjtë me potencial të veçantë në kërkim dhe teknologji.

I fundit në listën e themeluesve është Sam McCandlish, 36 vjeç, i cili ka zgjedhur të qëndrojë më larg vëmendjes publike. Ai është arkitekti kryesor i Anthropic dhe merret me zhvillimin e sistemeve dhe politikave që synojnë të kufizojnë rreziqet e inteligjencës artificiale. Përpara se të krijonte kompaninë, punonte në fushën e sigurisë në OpenAI. McCandlish ka doktoraturë në fizikë nga Universiteti Stanford dhe është diplomuar në matematikë dhe fizikë në Universitetin Brandeis.

Pavarësisht profileve dhe formimeve të ndryshme, të shtatë themeluesit kanë një histori të përbashkët: u larguan nga një prej kompanive më të njohura të inteligjencës artificiale për të krijuar një alternativë të tyren. Vetëm pesë vjet më vonë, Anthropic është shndërruar në një gjigant të teknologjisë, ndërsa dalja e saj në bursë mund t’i bëjë themeluesit e saj disa prej njerëzve më të pasur në industrinë e inteligjencës artificiale.


Video