
Gjolek Guci, ish-kryebashkiaku socialist i bashkisë Memaliaj dhe ish-zëvendësja e tij kur ishte në detyrë, Edmonda Harizi, janë dënuar me në total 3 vite burgim për shkelje të barazisë në tendera. Për secilin është vendosur dhe 5 vite ndalim i ushtrimit të funksioneve publike.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flora Hajredinaj, Etleva Deda dhe Engjëllushe Tahiri, me vendimin nr. 72, datë 18.11.2026 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Gjolek Guci, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 258, (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr. 43/2021, datë 23.3.2021) dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Proçedurës Penale, të pandehurit Gjolek Guci i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.
Heqjen e së drejtës për të pandehurin Gjolek Guci për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 (pesë) vjet, bazuar në nenin 35 paragrafi 2, të Kodit Penal.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurës Edmonda Harizi, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 258, (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr. 43/2021, datë 23.3.2021) dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e saj 1 (një) vit burgim.
Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Proçedurës Penale, të pandehurës Edmonda Harizi, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet 8 (tetë) muaj burgim.
Heqjen e së drejtës së të pandehurës Edmonda Harizi për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 (pesë) vjet, bazuar në nenin 35 paragrafi 2, të Kodit Penal.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe hetimet e SPAK:
Nga hetimet e kryera nga Kontrolli i Lartë konkludoi se kryetari i Bashkisë Memaliaj, shtetasi Gjolek Guci, më 21 shtator të vitit 2020 ka nënshkruar kontratën e dhurimit me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., të përfaqësuar nga administratori A.Sh. Ndërsa projekti për zbatimin e ndërtimit të ujësjellësit rajonal është miratuar nga Kryetari i Bashkisë Memaliaj.
Fondi për objektin, në vlerën mbi 493 milionë lekë (493.183.572), ishte ndarë në zëra për ndërtim, montim, drejtimin dhe kolaudimin e punimeve. Vlera e miratuar ishte e njëjtë me vlerën e kostove në projektin e dhuruar nga shoqëria “Artreum Generation”, nënkontraktore e njërës prej kompanive fituese të tenderit.
"Objekt i hetimit ka qenë procedura e prokurimit “Ndërtimi i Ujësjellësit Rajonal për fshatrat Vasjar, Iliras, Qesarat, Anë-Vjosë, Toç, Lulëzim, Zhulaj, Krahës dhe qytetin Memaliaj”, e vitit 2021, me autoritet kontraktor Bashkinë Memaliaj" thuhet në njoftimin e SPAK.
Për rrjedhojë është konstatuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Edmonda Harizi, Feta Hoxha, Bersant Ylli dhe titullari i autoritetit kontraktor (Bashkia e Memaliajt), shtetasi Gjolek Guci, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorë të tretë, duke kualifikuar dhe shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “KEG” sh.p.k. & “ED Konstruksion” sh.p.k., të cilët kishin mangësi në dokumentacionin e paraqitur, veçanërisht në kriteret për kapacitetin teknik.
Gjithashtu, është pranuar nënkontraktimi me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., i cili ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit, pasi kishte dhuruar projektin dhe kishte hartuar specifikimet teknike dhe nuk plotësonte kriteret ligjore për nënkontraktor.