
Valentin Ftoni, i dënuar për 3 vrasje në Shqipëri, u ekstradua këtë të mërkurë në vendin tonë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u arrestua në tetor të këtij viti.
“Në vijim të njoftimit të dhënë në muajin tetor 2026 dhe në vazhdën e punës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të Policisë së Shtetit me partnere ligjzbatues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku në sajë të një pune të gjatë hetimore ndërmjet këtyre agjencive, më datë 08.10.2026, u arrestua në Nju Jork, shtetasi shqiptar Valentin Ftoni, 52 vjeç, Policia e Shtetit dhe Agjentet Federale Amerikane të koordinuara nga DSS/OCIU në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, kanë përmbyllur fazën përfundimtare të operacionit të quajtur “GLOBE”.
Më datë 18.11.2026, u bë ekstradimi i shtetasit shqiptar Valentin Ftoni, i njohur në Shtetet e Bashkuara, me 3 identitete të falsifikuara si Valentin Bujaj, Parim Hajredini (identitet kosovar) dhe Alexander Campusano (identitet i Amerikës Qendrore).
Valentin Ftoni, person me profil të larte kriminal, i dënuar në Shqipëri për vrasje të shumëfishta, u mor në dorëzim nga autoritetet federale amerikane ICE-ERO dhe DSS/OCIU dhe iu vu në dispozicion për veprime të mëtejshme procedurale, autoriteteve shqiptare të cilat e kanë dënuar atë, 2 herë me nga 25 vjet burgim, për disa vrasje të kryera gjate viteve 1998-2001”, tha policia.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare prej vitit 2001, pasi është dënuar 2 herë, me nga 25 vjet burgim, për 3 vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës, dhe fshihej në ShBA, që pas arratisjes nga Shqipëria, duke shfrytëzuar identitetet e lartpërmendura.
Më datë 28.01.2001, Gjykata e Shkodrës e ka deklaruar fajtor dhe e ka dënuar shtetasin Valentin Ftoni, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 19.09.2000, në Cas, Shkodër, ka vrarë shtetasit Gj. M. dhe A. M., për motive gjakmarrjeje.
Gjithashtu, më datë 18.11.2008, Gjykata e Shkodrës e ka deklaruar fajtor dhe e ka dënuar shtetasin Valentin Ftoni, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 12.08.2001, në Shkodër, ka vrarë shtetasin G. T.