
Erion Veliaj nuk i është nënshtruar ende ndërhyrjes kirurgjikale në këmbë, rreth dy javë pasi një mjek turk kishte rekomanduar operacionin.
Sipas një njoftimi të mbrojtjes së tij, pas kërkesave të përsëritura për dokumentacionin mjekësor, Spitali Memorial ka vënë në dispozicion grafitë dhe rezonancën magnetike të këmbës së Veliajt.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, një grup mjekësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Spitali Memorial kanë kryer ekzaminimin e tij. Sipas mbrojtjes, mjekët kanë arritur në të njëjtin përfundim me mjekun turk, duke rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale.
Në njoftim thuhet se gjatë dy javëve të fundit Veliaj ka marrë vetëm medikamente kundër dhimbjeve, pa iu nënshtruar një trajtimi tjetër për këmbën.
Mbrojtja ngre gjithashtu shqetësimin për vonesën në vënien në dispozicion të dokumentacionit të plotë mjekësor dhe kërkon sqarime mbi arsyet e moskryerjes së ndërhyrjes deri më tani.
Reagimi i avokatëve:
Pas dy javësh kërkesash të vazhdueshme për të siguruar dokumentacionin mjekësor të Erion Veliajt, vetëm sot Spitali Memorial ka vënë zyrtarisht në dispozicion grafinë dhe rezonancën magnetike të këmbës së tij.
Po sot, një grup mjekësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Spitali Memorial kanë ekzaminuar Veliajn, duke arritur në të njëjtin përfundim me mjekun turk, i cili rreth dy javë më parë kishte rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale.
Pra, u deshën dy javë për të konfirmuar atë që ishte konstatuar që në fillim: Veliaj kishte nevojë për operacion!
Gjatë këtyre dy javëve, ndërhyrja kirurgjikale nuk është kryer dhe, përveç qetësuesve të dhimbjes, Veliaj nuk ka marrë trajtim tjetër për këmbën. Ndërkohë, mbrojtjes i është mohuar në praktikë aksesi në dokumentacionin e plotë mjekësor, pavarësisht kërkesave të përsëritura.
Dy javë të humbura për një këmbë që kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale!
Kush mban përgjegjësi për këtë vonesë? A ka sjellë ajo përkeqësim të gjendjes së këmbës dhe kush do të përgjigjet për pasojat e mundshme?
Privimi nga liria nuk mund të nënkuptojë privim nga kujdesi shëndetësor në kohën e duhur.