Një përbindësh i madh betoni, i cili fillon si një strukturë dhe më pas degëzohet në disa drejtime, do të ngrihet në një nga zonat bregdetare me dendësinë më të madhe jo vetëm në Shqipëri apo Ballkan, por edhe në Europë. Zona e Plazhit, Malit të Robit, Golemit dhe Qerretit po kthehet në një masiv i stërmadh betoni, ku edhe ato pak godina të ulta, po prishen për ti lënë vendin strukturave të gjera dhe të larta, si rasti që po trajtojmë në këtë investigim.
Dokumentet e hulumtuara nga Vox News hedhin dritë fillimisht mbi një klan në qytetin e Durrësit, ku pavarësisht se ish-kryetari i Bashkisë së atij qyteti, Vangjush Dako, nuk mban asnjë post, sërish me lidhje deri sipër në qeveri ka arritur të pasurojë jo vetëm familjen, por edhe ata përreth. Përgjimet e një dosje penale të Prokurorisë së Posaçme u publikuan në media, ku Dako kishte kontakte edhe me eksponentë me precedentë të rëndë kriminalë, por që më vonë u justifikua se “ishte në kuadër të zgjedhjeve dhe politikës”.
Ndërkohë, javët e fundit qeveria ka zbardhur një tjetër leje ku dyshohet se fshihet sërish familja e Vangjush Dakos, apo vëllezërve të tij, që kanë një perandori të madhe betoni në atë qytet. Projekti i radhës vjen nga zona e Malit të Robit, ku në fotot e maketit që ka publikuar qeveria, do të ndërtohet një godine e stërmadhe, e lartë deri në 18 kate dhe shumë e gjerë.
Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, qeveria ka dhënë leje për një godinë 9, 13, 14 dhe 18 kate në Malin e Robit. Sipas dokumenteve, “objekti pozicionohet në rrugën ‘Bulevardi Pishat e Buta’ në afërsi të Malit të Robit, në Golem”.
Më tej citohet se zona paraqitet si një hapësirë e zhvilluar me karakter turistik dhe shërbimesh, ku vihet re prania e objekteve të ndërtuara kryesisht pas viteve ’90 dhe një zhvillim urban në rritje të vazhdueshme.
“Dominon tipologjia e ndërtimeve hoteliere, rezidenca, bare, restorante dhe aktivitete tregtare”, thuhet në dokumente.
Në leje shkruhet se ndërtuesi i këtij masivi të madh betoni do të jetë kompania “Royal G Max” shpk, një kompani e themeluar në vitin 2023 dhe me pronar Arkenad Gripshin. Ky i fundit, ka një tjetër firmë në qytetin e Durrësit, të quajtur “Kristi Konstruksion”. Gjatë kohës së tërmetit, dolën në dritë parregullsitë e ndërtimeve të pallateve të kësaj firme, e cila e merrte betonin nga kompania “3D”, me pronar Edmond Dakon, vëllanë e Vangjush Dakos.

Mësohet se, Arkenad Gripshi dhe Edmond Dako kanë qenë ortak në një pallat në zonën e Shkëmbit të Kavajës, teksa mediat kanë nxjerrë në dritë edhe një padi të bërë në vitin 2017 nga Arekadi dhe Edmondi duke paditur bashkinë për zbardhjen e një leje ndërtimi. Pikërisht këto lidhje e kanë fuqizuar së tepërmi Gripshin në atë zonë, ku ai merr leje me ndihmë nga familja Dako dhe kjo e fundit jep betonin.
Vox News ka shfletuar dokumentet e kësaj leje ndërtimi ku rezulton se prona ka një sipërfaqe totale prej 3307 metra katrorë dhe territori është karakterizuar nga një reliev i sheshtë. Brenda pronës ka një objekt ekzistues 4 kate që do të prishet.
“Hoteli konceptohet si një strukturë bashkëkohore me 9, 13, 14 dhe 18 kate mbi tokë. Zgjidhja volumetrike bazohet në ndërthurjen e volumeve të pastra dhe dinamike, të cilat krijojnë një siluetë identifikuese dhe një raporto të harmonizuar me vijën bregdetare".

Por, në atë godinë do të ndërtohet edhe një kazino.
“Në katet nëntokësore -4 dhe -3 janë parashikuar hapësirat e parkimit. Kati -2 organizohet si zonë argëtimi dhe aktivitetesh sociale, ku janë pozicionuar salla e konferencave dhe kazinoja”, thuhet në dokument.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016