
Një 43-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur rëndë pas një atentati me armë zjarri në qytetin e Pavias, në Itali. Ngjarja ndodhi pak para orës 19:30 të së shtunës, kur ndaj tij u qëllua nga një automjet në lëvizje, ndërsa po kthehej në banesë së bashku me një mik dhe koleg.
Sipas informacioneve paraprake, vetëm një plumb, i kalibrit 7.65 mm, e ka goditur 43-vjeçarin në pjesën anësore të trupit, në zonën e ijeve, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Projektili i ka shpuar njërën mushkëri, ndërsa shqiptari është dërguar në urgjencën e Poliklinikës San Matteo në Pavia, ku është shtruar në repartin e terapisë intensive. Gjendja e tij paraqitet tepër e rëndë dhe mjekët e mbajnë nën prognozë të rezervuar, ndërsa vijon të jetë në rrezik për jetën.
Viktima është banor i rregullt në Certosa di Pavia dhe punon si murator. Sipas të dhënave të deritanishme, ai është familjar dhe nuk rezulton të ketë precedentë penalë apo probleme të mëparshme me policinë dhe drejtësinë.
Në momentin e ngjarjes, 43-vjeçari shoqërohej nga një bashkëkombës, mik dhe koleg i tij, i cili gjithashtu nuk rezulton të ketë precedentë penalë. Madje, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që objektiv i sulmit të ketë qenë pikërisht shoqëruesi i tij, megjithëse kjo mbetet një pistë që duhet verifikuar.
Dy shqiptarët sapo kishin dalë nga një lokal, ku kishin konsumuar së bashku një aperitiv, dhe po ktheheshin drejt banesave të tyre. Miku i 43-vjeçarit kishte parkuar automjetin në zonën e Conca del Naviglio dhe kishte planifikuar ta shoqëronte me makinë deri në shtëpi.
Ata po ecnin drejt parkingut kur pranë tyre kaloi një automjet, marka dhe modeli i të cilit nuk u identifikuan nga dëshmitari i vetëm okular. Makina po lëvizte përgjatë bulevardit të Monumentit, në drejtim të semaforit në kryqëzimin me ish-rrugën shtetërore 35, të njohur si “dei Giovi”.
Automjeti uli shpejtësinë, por nuk u ndal dhe as nuk hyri në parking. Nga xhami i përparmë në anën e djathtë, atë të pasagjerit, një person që ndodhej brenda qëlloi me armë zjarri në drejtim të dy shqiptarëve. Plumbi goditi 43-vjeçarin, ndërsa automjeti vijoi lëvizjen.
Menjëherë pas të shtënave, miku i tij njoftoi shërbimet e urgjencës dhe familjarët e të plagosurit. Megjithatë, pa pritur mbërritjen e ambulancës, familjarët e transportuan me automjetin e tyre drejt spitalit, ku mjekët konstatuan gjendjen kritike.
Sektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Pavias ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Oficerët kanë marrë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin e automjetit dhe personave që ndodheshin në të.
Sipas dyshimeve të hetuesve, në makinë mund të kenë qenë dy persona: drejtuesi i automjetit dhe autori i të shtënave. Pas sulmit, automjeti dyshohet se ka vijuar drejt semaforit të rrugës shtetërore dhe është kthyer djathtas, në drejtim të Milanos.
Deri më tani, motivet e atentatit mbeten të paqarta. Ngjarja dyshohet se mund të ketë karakterin e një larjeje hesapesh, por kjo pistë nuk është konfirmuar nga hetuesit. As 43-vjeçari dhe as miku i tij nuk rezultojnë, sipas informacioneve paraprake, të kenë lidhje me qarqet kriminale.
Megjithatë, policia po heton edhe mundësinë e ndonjë konflikti të mundshëm që mund të lidhet me aktivitetin e tyre në sektorin e ndërtimit. Për momentin nuk ka një motiv të përcaktuar dhe hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit.