GJKKO rrëzon kërkesën e Adriatik Llallës për parashkrimin e dënimit me dy vite burg

16 Nëntor 2026, 09:15Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
GJKKO rrëzon kërkesën e Adriatik Llallës për
Adriatik Llalla

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka rrëzuar kërkesën e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për parashkrimin e dënimit me dy vite burgim për fshehje pasurie.

Vendimi u mor gjatë seancës së zhvilluar sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku trupa gjykuese vendosi të mos pranojë kërkesën e Llallës.

Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme kërkonte që vendimi i formës së prerë i vitit 2021, përmes të cilit u dënua me dy vite burg për fshehje pasurie, të konsiderohej i parashkruar. Në mbështetje të kërkesës së tij, Llalla argumentonte se kishin kaluar afro pesë vite nga dhënia e vendimit, pa e vuajtur dënimin.

Ndërkohë, ish-kryeprokurori vijon të jetë në kërkim nga autoritetet shqiptare. Gjatë hetimeve ndaj tij, Llalla u largua drejt Italisë, ku u arrestua dhe më pas u la nën masa mbikëqyrjeje, pa iu dorëzuar autoriteteve shqiptare.


Video