Arkitekti i "preferuar" i Ramës mbron çibanin tek "Parku Rinia"

15 Nëntor 2026, 21:34Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Arkitekti i "preferuar" i Ramës mbron çibanin tek

Në Tiranë, betoni rrallëherë vjen i zhveshur. Zakonisht ai mbërrin i mbështjellë me metafora poetike dhe i firmosur nga emra të mëdhenj të arkitekturës botërore. Propozimi i fundit për Parkun Rinia — i pagëzuar me emrin Fountain Plaza Tirana — është shembulli më i pastër i kësaj formule. 

Përballë reagimeve që e cilësojnë projektin si një “çiban” të ri mbi një nga hapësirat e pakta të gjelbra që i kanë mbetur ende kryeqytetit, arkitekti danez Bjarke Ingels është përpjekur ta shesë ndërhyrjen jo si shkatërrim, por si akt mbrojtjeje.

“Ne e kemi rikonceptuar jetesën urbane në tri dimensione — jo si një zgjatim vertikal apo një kullë që konkurron për të tërhequr vëmendjen në panoramën e qytetit, por si një re banesash që qëndron pezull mbi park. 

Në vend që ta zvogëlojë parkun apo të zhvendosë jetën publike, ndërtesa i pasuron dhe i përfshin të dyja,” deklaroi z. Ingels për revistën Dezeen.

Por në praktikë, një “re” e mbushur me hotel, apartamente luksi dhe zyra nuk pluskon në ajër; ajo mbështetet mbi kolona betoni, kërkon themele të thella, gjeneron trafik dhe privatizon ajrin e hapësirës publike. 

Pretendimi se po shton metra katrorë publikë duke ndërtuar mbi një park ekzistues është një akrobaci retorike.

Për qytetarët e Tiranës, ajo që duket si “arkitekturë vizionare” në renderat kompjuterike, në terren përkthehet në humbjen e qiellit të hapur dhe të dritës natyrale — sado xham të valëzuar të premtojnë arkitektët për ashensorët.

Edhe premtimet për “kthimin e vlerës” tek publiku ndjekin një skenar të stërkonsumuar. Për të zbutur rezistencën ndaj interesave komerciale (hotelit dhe rezidencave), projekti ofron si karrem një bibliotekë të hapur, një auditor dhe një “shatërvan të përmbysur” që spërkat mjegull uji.

Këto elemente shërbejnë më shumë si alibi morale sesa si nevoja reale të një parku, funksioni kryesor i të cilit është pikërisht të mbetet i paprekur nga ndërtimet.

Për ironi, projekti fitoi përballë katër studiove të tjera ndërkombëtare — një garë ku pyetja themelore nuk ishte nëse duhej ndërtuar mbi Parkun Rinia, por kush do ta paketonte më bukur këtë ndërtim.

Pa një afat të qartë realizimi dhe në një treg ndërtimi ku balanca mes interesit publik dhe fitimit privat anon rregullisht nga ky i dyti, Fountain Plaza Tirana rrezikon të mbetet një precedent i rrezikshëm. 

Kur parqet nisin të shihen thjesht si truall i pashfrytëzuar për të ngritur “re” banesash, Tirana nuk po zhvillohet në tre dimensione — ajo thjesht po mbetet pa frymë. (Kapitali.al)


Video