Atletja shqiptare Luiza Gega është shpallur fituese e edicionit të dhjetë të Maratonës së Tiranës, pasi zuri vendin e parë në garën kryesore prej 42 kilometrash.
Për këtë rezultat, ajo fitoi edhe çmimin prej 5 mijë eurosh. Aktiviteti sportiv mblodhi këtë të diel rreth 5,800 pjesëmarrës.
Gega arriti të triumfojë në distancën e plotë maratonike, duke u renditur e para në një nga garat kryesore të aktivitetit, i cili këtë vit shënoi edicionin e tij të dhjetë.
Maratona nisi në orën 08:00, ndërsa organizatorët përfshinë për herë të parë edhe një garë prej 5 kilometrash. Kjo kategori e re synon të nxisë pjesëmarrjen e qytetarëve dhe t'u krijojë mundësi edhe personave që nuk merren profesionalisht me atletikë të përfshihen në aktivitet.
Përgatitjet për organizimin e maratonës zgjatën gjashtë muaj. Për mbarëvajtjen e saj u angazhuan rreth 600 vullnetarë, 800 punonjës policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës.