
Shqipëria ka edhe një ndeshje të fundit për të zhvilluar në këtë edicion të UEFA Nations League, por, teksa mbeten ende dy ditë deri në përballjen e radhës, statistikat vazhdojnë të zbulojnë detaje interesante për paraqitjet e kuqezinjve.
Këtë herë, vëmendjen e merr shpejtësia. “Sofascore” ka publikuar të dhënat për futbollistët më të shpejtë të Shqipërisë në pesë ndeshjet e para të këtij edicioni dhe në krye të listës gjendet një emër që mund të mos pritej: Ardian Ismajli.
Mbrojtësi kuqezi ka regjistruar një shpejtësi maksimale prej 36 km/h, duke lënë pas edhe disa prej futbollistëve më ofensivë të Kombëtares. Në vendin e dytë renditet Ernest Muçi me 35.7 km/h, ndërsa podiumin e plotëson Mirlind Daku me 35 km/h.
Një renditje interesante, që tregon se shpejtësia nuk është vetëm privilegj i sulmuesve dhe lojtarëve të krahut. Ismajli dëshmon se edhe një mbrojtës qendre mund të ketë shpërthime të jashtëzakonshme në shpejtësi, ndërsa Muçi dhe Daku konfirmojnë armët e tyre fizike në fazën sulmuese.
Me një ndeshje ende për t’u luajtur, mbetet për t’u parë nëse këto shifra do të ndryshojnë në përballjen e fundit të Shqipërisë në Nations League.