
Ndryshimet e shpeshta në pankinën e Manchester United kanë një efekt të veçantë edhe në karrierën e Matthijs de Ligt. Mbrojtësi holandez pritet të zgjasë një rekord të pazakontë, pasi çdo sezon profesionist të karrierës së tij e ka nisur nën drejtimin e një trajneri të ndryshëm.
Me largimin e pritshëm të Michael Carrick dhe emërimin e Mauricio Pochettino-s në krye të Man United, De Ligt do të ketë një tjetër trajner në fillimin e sezonit të ardhshëm. Kështu, do të bëhen 12 sezone radhazi që holandezi nuk e nis kampionatin me të njëjtin trajner si në edicionin paraardhës.
Gjithçka nisi te Ajax, ku në sezonin 2016-17 trajner ishte Peter Bosz. Një vit më pas, pankina iu besua Marcel Keizer, përpara se në sezonin 2018-19 të mbërrinte Erik ten Hag.
Transferimi te Juventusi në vitin 2019 e gjeti De Ligt nën drejtimin e Maurizio Sarri-t. Në sezonin pasardhës, në pankinë ishte Andrea Pirlo, ndërsa në vitin 2021-22 u rikthye Massimiliano Allegri.
Kalimi te Bayern Munich solli një tjetër ndryshim. Julian Nagelsmann ishte trajneri i tij në sezonin 2022-23, ndërsa një vit më vonë skuadra bavareze drejtohej nga Thomas Tuchel.
Edhe aventura te Manchester United nuk e ka ndërprerë këtë seri. De Ligt e nisi sezonin 2024-25 me Ten Hag, vazhdoi në edicionin 2025-26 me Ruben Amorim dhe në sezonin 2026-27 me Carrick.
Tashmë, emërimi i Pochettino-s do të shtojë një tjetër emër në këtë listë. Me nisjen e sezonit të ri, De Ligt do të regjistrojë 12 sezone radhazi me nga një trajner të ndryshëm në fillim të secilit prej tyre, një statistikë e pazakontë që e bën mbrojtësin holandez një rast të veçantë në futbollin evropian.