Wojciech Szczesny ka treguar edhe një herë anën e tij humoristike, duke bërë një deklaratë pikante për rolin që ka aktualisht te Barcelona.
Portieri polak, i cili është zëvendësues i Joan Garcias në skuadrën katalanase, është shprehur se e njeh shumë mirë pozicionin e tij në ekip dhe se nuk e ka problem të mos jetë titullar.
Szczesny vlerësoi cilësitë e shokut të skuadrës, duke theksuar se Garcia e meriton të luajë, ndërsa vetë ai po e shijon eksperiencën në klubin blaugrana.
“E di shumë mirë cili është roli im në skuadër. Joan është një portier i madh dhe për këtë arsye luan si titullar. Unë thjesht dua ta shijoj këtë eksperiencë, sepse kam punën më të mirë në botë: më paguajnë për të parë Barcelonën duke luajtur nga vendi më i mirë i stadiumit”, u shpreh polaku për Canal+ Sport.
Një deklaratë me shumë humor nga Szczesny, i cili duket se e ka pranuar me qetësi konkurrencën për vendin e titullarit dhe po e shijon aventurën e tij në Barcelonë.