
Një histori tipike shqiptare, ku zyrat e shtetit vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit. Në redaksinë e emisionit Fiks Fare është ankuar Gentian Rroji dhe babai i tij, Vahid Rroji, të cilët deklarojnë se kanë në pronësi një pasuri truall dhe godinë, me vërtetim hipotekor, në Shkodër.
Madje, këtë pasuri e kanë blere me kontratë të rregullt noteriale, duke përfituar më pas edhe vendime gjyqësore.
Trualli është blerë nga denoncuesit 28 vite më parë. Në deklaratat noteriale të blerjes përcaktohet mjaft qartë se dy familjet do të kalojnë në atë rrugë, duke e cilësuar në dokumente si servitud kalimi. Madje, në vërtetimet hipotekore të vjetra, rruga del gjysma në zotërim të denoncuesve e gjysma e komshinjve.
Por, në vitin 2022, Kadastra e Shkodrës ua regjistron rrugën kushërinjve nga ana tjetër. Ata përdorin një VKM për kufij të pacaktuar dhe Kadastra e Shkodrës ua regjistron brenda zyrave. Prej më shumë se 4 vitesh nga ky gabim, dy familjet, që janë edhe kushërinj me njëri tjetrin janë në konflikt të vazhdueshëm, ku njëra palë ka mbyllur rrugën egzistuese dhe nuk lejon palën tjetër të kalojë.
Por, megjithëse e bëri gabimin, Kadastra e Shkodrës nuk mund të ndërhyjë, sërish me këto ligjet apo rregulloret e famshme, për shkak se pala që e regjistroi pronën ka bërë transaksion, prona nga kryefamiljari ka kaluar në emrin e gruas dhe vajzave të tij. Për këtë arsye duhet të ndërhyjë Kadastra Qendrore, Drejtoria e Apelimit.

Fiksi shkoi në terren dhe çuditërisht, rruga që të çon te trualli dhe banesa e kësaj familje, e përdorur historikisht si rrugë, madje rezulton edhe në kontratën noteriale që e kanë blerë, është tjetërsuar dhe regjistruar në emrin e disa kushërinjve të tij, komshinj ngjitur.

Fillimisht prona në fjalë, që në kontratën e blerjes së pasurisë figuron rrugë dhe është e përcaktuar një “servitud kalimi”, është regjistruar në emrin e Jakup Rrojit dhe më pas i ka kaluar me akte dhurimi bashkëshortes së tij, Mynevere Rroji dhe vajzave Olsa dhe Doriana Rroji.
“Tani s’na lënë as të kalojmë, futemi në banesë nga brenda biznesit që kemi, market. Ajo ka qenë rrugë historikisht, nga i doli pronari? Kadastra na ka futur në konflikt me kushërinjtë”, thotë qytetari Gentian Rroji. Ai na vuri në dispozicion dhe videot e konfliktit, ku qytetarja tenton të futet te porta egzistuese, por porta është e mbyllur. Pas porte del komshia që i thotë se “është pronë private”.
Bashkë me denoncuesin, Fiksi shkon te porta hyrëse e banesës. Është një derë ekzistuese, ndërkohë që pasi hapet tani del në oborr. Qytetari thotë se disa muaj më parë, ai vend ka qenë rrugë, me mure dhe porta nga të gjitha anët. Për këtë ka edhe video.
Fiksi bisedon sërish me denoncuesin, i cili tregon si ka qenë vendi. Në atë moment, pranë vendit vjen një nga komshinjtë, Myneverja me vajzën e saj, të cilat tashmë janë bërë pronare. Ato debatojnë me denoncuesin, teksa i thonë se “sa të jem unë gjallë, s’ke për të kaluar”. Fiksi u kërkon nëse janë pronarë dhe kur janë bërë? Ato thonë se është pronë private, është e tyre.
Gazetarët i bëjnë me dije se ai vend ka qenë rrugë, me avlli dhe porta nga të gjitha anët. “I kemi lënë ne të kalojnë, është e jona”, thonë ato, ndërkohë që pretendojnë se kanë edhe dokumente.
Fiksi i kërkon dokumente, ndërkohë që njëra prej tyre telefonon motrën e cila thotë se grupi i gazetarëve të largohet nga ai vend se është pronë e tyre. I kërkojmë dokumente, ndërkohë që njëra prej tyre shkon dhe merr një dokument. Gazetarët i bëjnë me dije se edhe pala tjetër ka dokumente, ku rezulton se ai vend ka qenë rrugë, e ndarë në pasuri më vete. Ajo thotë se tani është e tyre dhe i kërkon grupit të Fiks Fare të largohen.
Fiksi ka mësuar se rruga u regjistrua në vitin 2022 në Kadastër në emër të Jakup Rrojit. Kjo familje përdori një VKM për kufijtë e pacaktuar dhe nëpërmjet një topografi, futi në pronën e tyre edhe rrugën egzistuese. Gabimin e ka bërë vetë Kadastra e Shkodrës, duke mos bërë shpallje apo të shkonte në terren për të verifikuar kufijtë e “pacaktuar”. Në dosjen e kësaj prone nuk rezulton të jetë bërë ndonjë shpallje, po punonjësit e Kadastrës të shkonin në pronë, siç edhe përcaktohet nga VKM-ja.
Kjo Kadastër nuk mund të rregullojë gabimin e bërë nga ajo vetë, pasi në atë pronë është bërë një transaksion. Përfituesi i parë, Jakup Rroji, e ka kaluar pronën me akt dhurimi në emrin e gruas Myneveres dhe vajzave Olsa dhe Doriana Rroji. Në letrat që kanë të dyja palët (nga Kadastra) njëherë del si pronë e përbashkët, rrugë kalimi, njëherë në emrin e trashëgimtarëve të pronës e njëherë në emrin e denoncuesve, Vahid dhe Gentian Rroji. Ndërkohë që tani del në emrin e Myneveres, Olsës dhe Dorianës.
Kadastra e Shkodrës thotë se korrigjimi nuk mund të bëhet nga drejtoria rajonale, pasi në atë pronë janë bërë transaksione, prona ka kaluar nga përfituesi te fëmijet. Pikërisht ky detaj ka sjellë që Shkodra mos të bëjë rregullimin, pavarësisht se e pranon se është bërë gabim!
Denoncuesit në Fiks Fare, Gentian dhe Vahid Rroji i janë drejtuar edhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Tiranës, Drejtorisë së Apelimit. ASHK Qendrore është i vetmi institucion që duhet të rregullojë këtë gabim, duke qenë se familja në fjalë nuk ka një rrugë kalimi për të shkuar në pronën e tyre dhe janë në konflikt me kushërinjtë.