Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka rezervuar të drejtën për të apeluar vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, me të cilin ai u dënua me 17 muaj burgim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Avokatët e Thaçit kundërshtojnë veçanërisht vendimin që ky dënim të mos vuhet njëkohësisht me dënimin prej 25 vjetësh burgim për krime lufte. Po ashtu, ata kanë vënë në pikëpyetje mënyrën se si gjykata ka llogaritur kohën e kaluar nga ish-presidenti në paraburgim.
Në një parashtresë të dorëzuar më 23 nëntor, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, argumentoi se klienti i saj do ta kishte përfunduar tashmë dënimin prej 17 muajsh, nëse gjykata do t’i kishte njohur kohën e kaluar në paraburgim që nga momenti kur ishte njoftuar për fletarrestimin në këtë çështje.
Thaçi ishte njoftuar për fletë-arrestin më 5 dhjetor 2024, kur ndodhej në paraburgim në Hagë, në kuadër të procesit gjyqësor për krime lufte.
“Po t’i ishte njohur zotit Thaçi koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në Rastin 12, dënimi i tij në këtë rast do të konsiderohej i vuajtur dhe ai do të ishte liruar”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes.
Megjithatë, ky lirim do të vlente vetëm për çështjen e pengimit të drejtësisë dhe nuk do të nënkuptonte lirimin e Thaçit nga burgu në Hagë, pasi ndaj tij vijon edhe procesi për krime lufte.
Në akt-gjykimin e 17 nëntorit, gjykatësi Christopher Gosnell arsyetoi se koha e kaluar në paraburgim për dy çështje të ndryshme, të lidhura me fletarrestime të veçanta, nuk mund të llogaritej për të dyja dënimet, pasi ato lidhen me vepra penale të ndryshme.
Për këtë arsye, gjykata vendosi që dy dënimet të mos vuajnë njëkohësisht.
Ndërkohë, më 16 nëntor, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar vazhdimin e paraburgimit të Thaçit në çështjen për pengim të drejtësisë.
Mbrojtja kishte afat deri më 23 nëntor për t’iu përgjigjur kësaj kërkese. Megjithatë, avokatja Menegon bëri të ditur se mbrojtja nuk do të paraqiste argumente të veçanta për vazhdimin e paraburgimit në atë fazë, por do të ruante të drejtën për të apeluar akt-gjykimin, në bazë të nenit 46 të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Apelimi mund të përfshijë edhe kundërshtimin e vendimit për mënyrën e vuajtjes së dy dënimeve dhe llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim.
Për çfarë u dënua Thaçi?
Më 17 nëntor, Gjykata Speciale e shpalli Hashim Thaçin fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Sipas gjetjeve të gjykatës, gjatë vizitave që kishte pranuar në paraburgimin e Hagës në vitin 2023, Thaçi kishte zbuluar informacione konfidenciale për dëshmitarët në procesin gjyqësor për krime lufte. Ai gjithashtu kishte dhënë udhëzime lidhur me dëshmitë e tyre.
Në të njëjtën çështje u shpallën fajtorë edhe ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Smakaj dhe Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim, por u liruan menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, pasi koha që kishin kaluar në paraburgim mbulonte të gjithë kohëzgjatjen e dënimeve të tyre.
Ndërsa Kuçi u dënua me një muaj burgim me kusht. I akuzuari tjetër në këtë çështje, Isni Kilaj, u shpall i pafajshëm.
Prokuroria kishte kërkuar 6 vjet burgim për Thaçin.
Dy dënime brenda dy muajsh
Vendimi i 17 nëntorit ishte i dyti ndaj Hashim Thaçit brenda një periudhe prej dy muajsh.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale e dënoi ish-presidentin e Kosovës me 25 vjet burgim për krime lufte, në kuadër të procesit gjyqësor ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në të njëjtin proces, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, u dënua me 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa ish-deputeti Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Të katër u shpallën fajtorë për krime lufte, por u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023.
Afati për dorëzimin e njoftimeve për apelimin e aktgjykimit të 16 shtatorit është 27 nëntori.
Nëse të dyja dënimet ndaj Thaçit mbeten në fuqi dhe konfirmohet gjithashtu vendimi që ato të mos vuajnë njëkohësisht, ish-presidenti i Kosovës do të duhet të vuajë gjithsej 26 vjet e pesë muaj burgim.
Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015, me vendim të Kuvendit të Kosovës. Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por kanë selinë në Hagë të Holandës dhe funksionojnë me personel ndërkombëtar./ REL