
Katër persona, mes tyre dy ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës, janë arrestuar në Tiranë pasi u kapën duke qarkulluar me armë zjarri në një automjet të blinduar tip “Audi”.
Gjatë kontrolleve pranë stadiumit “Arena Kombëtare”, policia gjeti dy pistoleta, ndërsa sekuestroi edhe një fenelinë të ngjashme me ato të policisë. Për njërën prej armëve, që iu gjet punonjësit të Gardës, po kryhen verifikime nga AMP.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Qarkullonin me armë zjarri në automjet, vihen në pranga 4 shtetas, mes tyre 2 ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, gjatë kontrolleve të ushtruara pranë stadiumit “Arena Kombëtare”, kanë konstatuar një automjet të markës “Audi”, me të cilin qarkullonin 4 shtetas.
Gjatë kontrollit të automjetit të blinduar, në një çantë të zezë, të vendosur në pjesën e pasme të tij, u gjet një armë zjarri pistoletë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, shtetasit E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, iu gjet një armë zjarri pistoletë.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, i shtetasve E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, I. Sh., 28 vjeç, L. M., 42 vjeç, ushtarak, dhe E. S., 46 vjeç, ushtarak.
Arma e zjarrit e gjetur në automjet u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një fenelinë, si ato të policisë, që dyshohet se e mbante shtetasi I. Sh. Ndërsa, për armën e zjarrit që iu gjet gjatë kontrollit fizik punonjësit të Gardës së Republikës, po kryhen verifikime nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore të secilit shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme