190 mijë euro donacione në GoFundMe për një sëmundje të sajuar, familjarët e Endrit Azemit: Edhe ne e besuam, jemi kërcënuar 

23 Nëntor 2026, 20:17Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
190 mijë euro donacione në GoFundMe për një sëmundje
Endrit Azemi (djathtas) dhe vëllai i tij, Gzim Azemi (majtas)

Endrit Azemi, i dyshuar për mashtrim me pretendimin se vuante nga Leuçemia Akute dhe se kishte nevojë për kurim jashtë vendit, do të qëndrojë një muaj në paraburgim, pas vendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan.

Sipas Prokurorisë, Azemi dyshohet se ka përfituar mbi 190 mijë euro përmes një fushate për mbledhjen e fondeve, duke pretenduar se paratë do të përdoreshin për trajtimin e sëmundjes së tij.

Nga hetimet rezulton se mbi 160 mijë euro janë mbledhur përmes platformës online GoFundMe, ndërsa më shumë se 26 mijë euro të tjera janë siguruar nga aktivitetet për grumbullimin e donacioneve në qendër të Gjilanit. Në këtë aktivitet dyshohet se e kanë ndihmuar edhe familjarë dhe persona të tjerë.

Megjithatë, familjarët e tij pretendojnë se edhe ata kanë qenë të bindur se Endriti vuante nga leukemia. I vëllai, Gzim Azemi, ka treguar se kishte parë dokumente mjekësore, të cilat, sipas tij, përmbanin vula dhe informacione për trajtimet që Endriti pretendonte se kishte kryer.

Ndërkohë, Gzim Azemi ka bërë të ditur se paratë e mbledhura përmes GoFundMe kanë nisur t’u kthehen dhuruesve, ndërsa fondet e grumbulluara në Gjilan ndodhen të bllokuara nga policia. Ai u ka bërë thirrje personave që kanë kontribuar dhe kërkojnë kthimin e parave që t’i drejtohen policisë.

Pas publikimit të rastit, familjarët e Endrit Azemit thonë se janë përballur me fyerje dhe kërcënime nga qytetarët. Për këtë arsye, ata i kanë kërkuar ndihmë Policisë së Kosovës, duke theksuar se nuk kanë pasur dijeni për mashtrimin e dyshuar.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të paktën 10 dëshmitarë kanë dijeni për veprimtarinë e dyshuar të mashtrimit.

Nga hetimet dyshohet se, më 9 nëntor 2026, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, Endrit Azemi ka sajuar një ngjarje të rreme, duke pretenduar se ishte prekur nga sëmundja e Leuçemisë Akute. Për këtë qëllim, ai kishte hapur edhe një fushatë në platformën GoFundMe, përmes së cilës kishte zhvilluar aktivitete për mbledhjen e parave në Kosovë dhe në diasporë, me pretendimin se fondet do të përdoreshin për kurimin dhe rehabilitimin e tij./TCH

 


VoxPop

Video