Vrasja e "Sel Çamit", bastiset banesa e ‘Ben Qimes’ në Fier!

23 Nëntor 2026, 12:13Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vrasja e "Sel Çamit", bastiset banesa e ‘Ben Qimes’
Arben Isufajt i njohur si "Ben Qimja"/ Viktima: Selami Hasani i njohur si "Sel Çami"

Pas vrasjes së Selami Hasanit, i njohur edhe si Sel Çelami, policia po ushtron kontrolle në banesën e Arben Isufajt i njohur si "Ben Qimja". 

Një nga pistat që po hetohet nga policia për vrasjen, është ajo e hakamrrjes.

Selami Hasani rezulton të ketë qenë i dënuar me 25 vite burg pasi në vitin 2002 vrau nipin e Ben Qimes.

Selami Hasani, i njohur në Fier me nofkën “Sel Çami” ose “Seli i Malit”, u ekzekutua mëngjesin e kësaj të hëne në oborrin e banesës së tij, në lagjen “1 Maji”.

Ai u qëllua me armë zjarri teksa po punonte në murin rrethues të shtëpisë, ndërsa nga atentati mbeti i plagosur edhe nipi i tij, Jakupi.

Selami Hasani nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai ishte dënuar me 25 vite burg për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur më 25 mars 2002, në zonën e njohur si “Sheshi i Valutës” në Fier.

Gjatë një përplasjeje me armë zjarri mbetën të vrarë Julian Isufaj, nipi i Ben Qimes, dhe kambisti Esat Tare. Ndërsa Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj mbetën të plagosur, ky i fundit kalimtar i rastit.

Sipas dosjes hetimore, në ngjarje u përfshinë Selami Hasani dhe Pëllumb Yzeiraj. Përplasja dyshohej se kishte si motiv hasmërinë e vjetër mes familjeve Hasani dhe Isufaj.

Arratisja dhe arrestimi i Selami Hasanit

Pas ngjarjes së vitit 2002, Selami Hasani u largua nga Shqipëria dhe qëndroi për disa vite në arrati. Më 12 gusht 2009, ai u arrestua në Fier nga forcat RENEA, gjatë operacionit të koduar “Parukieri”.

Në momentin e arrestimit, policia i sekuestroi dy pistoleta.

Hasani ishte liruar nga burgu vetëm një javë më parë, pasi kishte vuajtur 17 vite burg për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt.

Ndërkohë, për atentatin e kësaj të hëne, policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Një automjet tip “Volvo”, që dyshohet se është përdorur në krim, u gjet i djegur në fshatin Ndërmenas.

Për momentin nuk ka një konfirmim zyrtar se vrasja lidhet me hasmërinë e vjetër mes familjeve, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur motivet dhe rrethanat e atentatit.

Kush është “Ben Qimja”?

Arben Isufaj, i njohur si “Ben Qimja”, konsiderohet një nga personazhet më të njohur të botës së krimit në Fier.

Emri i tij lidhet me një histori të gjatë konfliktesh, që sipas dosjeve dhe dëshmive të publikuara ndër vite, nisën pas vrasjes së babait të tij, Enver Isufaj.

Ky i fundit u vra në një bilardo në zonën e Sheqit në Fier.

 Në këtë ngjarje dyshohet se morën pjesë Pëllumb Yzeiraj dhe Vladimir Hasani, vëllai i Selami Hasanit. Vrasja e Enver Isufajt shënoi përshkallëzimin e konfliktit mes dy familjeve.

Vite më vonë, më 25 mars 2002, vrasja e Julian Isufajt, nipit të Ben Qimes, dhe e kambistit Esat Tare, si dhe plagosja e dy personave të tjerë, riktheu përplasjet mes palëve në qendër të Fierit.

Arben Isufaj është përmendur ndër vite në disa hetime dhe çështje gjyqësore për ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij është lidhur gjithashtu me aktivitetin e trafikut të narkotikëve dhe hetime për pasuritë e tij. 


Video