Përtej takimit me Trump, Xi dhe Putin ndajnë të njëjtin vizion për t’i rrëmbyer Amerikës fuqinë

19 Nëntor 2026, 23:58Pikëpamje SHKRUAR NGA EDWARD WONG

Përtej takimit me Trump, Xi dhe Putin ndajnë të njëjtin

Pavarësisht pritjes miqësore për Trumpin në samitin e Shenzhenit, Xi dhe Putin mbeten të bashkuar nga synimi afatgjatë për t’i dhënë fund epërsisë amerikane dhe për të riformësuar rendin botëror.

Nga Edward Wong - The New York Times

Në përfundim të një vizite në Moskë, më shumë se tre vjet më parë, udhëheqësi kinez Xi Jinping i tha presidentit rus Vladimir Putin një fjali që është kthyer në përkufizimin e botëkuptimit dhe të veprimeve të dy udhëheqësve.

“Tani po ndodhin ndryshime të tilla që nuk i kemi parë prej 100 vjetësh dhe jemi ne ata që po i nxisim së bashku”, tha ai.

Ajo që Xi donte të thoshte ishte kjo: të dy burrat dhe vendet e tyre po e transformojnë rendin botëror duke i marrë Amerikës rolin e superfuqisë së vetme, fitueses së padiskutueshme të Luftës së Ftohtë.

Si Xi, ashtu edhe Putin ushqejnë ndjesinë se u është bërë një padrejtësi historike, të formësuar nga zgjerimi dhe mbizotërimi i fuqisë amerikane gjatë më shumë se tri dekadave që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Por, nga këndvështrimi i Xi-së, kjo situatë po ndryshon dhe, me të drejtë apo jo, ai ka përqafuar idenë se Amerika ndodhet në një rënie të pakthyeshme.

Xi përdori pa ngurrim një formulim të ngjashëm për ndryshimet historike edhe në fjalën hapëse të samitit me Putinin dhe presidentin Trump të enjten. “Një transformim i paparë prej një shekulli po përshpejtohet”, tha ai në takimin në Shenzhen të Kinës.

Xi ia kishte thënë të njëjtën gjë Trumpit kur të dy u takuan në Pekin në maj.

Putini, nga ana e tij, e ka dëshmuar gatishmërinë për të sfiduar Shtetet e Bashkuara duke vazhduar pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, të cilin e nisi në shkurt 2022.

Samiti trepalësh, i organizuar nga Xi në Kylin Villa të Shenzhenit, ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, pasi udhëheqësit e të tria vendeve nuk ishin takuar kurrë më parë në një takim zyrtar trepalësh.

Trump, i cili prej vitesh ka folur me admirim për të dy autokratët, u shpreh me entuziazëm për pritjen që i bënë. “Ne po bëjmë vërtet histori”, tha ai gjatë takimit. Më herët, e kishte quajtur secilin prej tyre mik.

Por nuk ka asnjë shenjë se samiti do ta ndryshojë qëndrimin e kahershëm antiamerikan të Xi-së apo të Putinit. Po ashtu, Trump nuk do të mund të ndërtojë me asnjërin prej tyre të njëjtën lloj marrëdhënieje që ata kanë me njëri-tjetrin.

Trumpit i kanë mbetur pak më shumë se dy vjet nga mandati. Xi dhe Putin mund të qëndrojnë në pushtet pa afat dhe asnjëri nuk ka përcaktuar një pasardhës.

“Këta janë dy udhëheqës me një vetëdije të theksuar historike, që e shohin gjeopolitikën përmes rrëfimeve historike të kombeve të tyre”, tha John Delury, profesor i politikës ndërkombëtare në Qendrën Hopkins–Nanjing në Kinë. “Duket se e konsiderojnë veten ‘burra të mëdhenj të historisë’, që veprojnë në një rrafsh tjetër nga politikanët e zakonshëm. Në sytë e tyre, edhe Trump mund të shihet si një dukuri dytësore.”

Dy udhëheqësit janë takuar më shumë se 40 herë. Në një rast, në Taxhikistan, Putini madje e festoi ditëlindjen e 66-të të Xi-së me një dolli me shampanjë, tortë dhe akullore ruse.

Por, ajo që ka më shumë peshë, është se Kina ka vazhduar ta mbështesë Rusinë gjatë luftës në Ukrainë. Xi i lejon kompanitë kineze t’u shesin komponentë mikroelektronikë dhe mallra të tjera me rëndësi thelbësore kompanive ruse të industrisë së mbrojtjes. Sipas zyrtarëve amerikanë dhe evropianë, kjo e ndihmon Putinin ta vazhdojë pushtimin, pavarësisht se ka humbur nga 400 mijë deri në 500 mijë ushtarë në konflikt.

Kina ka blerë gjithashtu naftë nga Rusia gjatë gjithë luftës, duke i siguruar asaj mbështetje të rëndësishme financiare.

R. Nicholas Burns, ambasador në Kinë gjatë administratës Biden dhe ish-ambasador në NATO, tha se nuk kishte ndier asnjëherë ndonjë lëkundje nga zyrtarët kinezë për mbështetjen ndaj Rusisë gjatë luftës, megjithëse ata këmbëngulnin se ishin neutralë në konflikt.

“Ishte mjaft hipokrite”, tha ai. “Në fakt, mendoj se gjatë kohës sime si ambasador atje, ata e shtuan edhe më tej mbështetjen për Rusinë.”

“Ishte shumë e qartë se Kina donte që Rusia të dilte më e fortë dhe të siguronte epërsi ndaj Ukrainës”, shtoi ai. “Ata donin të shihnin NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të mposhtura.”

Në Shenzhen, të tre udhëheqësit diskutuan luftën në Ukrainë, temë për të cilën Trump dhe Putin kishin biseduar edhe më herët të enjten, gjatë takimit të tyre me dyer të mbyllura. Agjencitë perëndimore të inteligjencës vlerësojnë se Putini nuk është gati të negociojë seriozisht për një marrëveshje paqeje, raportoi të mërkurën The New York Times.

Si Xi, ashtu edhe Putin janë ndikuar thellësisht nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, të cilën ia atribuojnë manovrave amerikane dhe dobësisë së udhëheqësve sovjetikë të asaj kohe. Në dhjetor 2012, një muaj pasi u bë udhëheqës i Kinës, Xi mbajti një fjalim të rëndësishëm të brendshëm të Partisë Komuniste në provincën Guangdong, ku tha se Bashkimi Sovjetik u shemb sepse “askush nuk pati burrërinë të ngrihej dhe të rezistonte”.

Mes dy vendeve ekzistojnë edhe lidhje të tjera të thella historike, që qëndrojnë në themel të partneritetit të dy udhëheqësve.

Pekini dhe Moska luftuan në të njëjtën anë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kundër vendeve të Boshtit. Pak më vonë, gjatë Luftës së Koresë, të dyja fuqitë u rreshtuan përkrah Koresë së Veriut, një tjetër vend komunist, kundër forcave amerikane dhe koreanojugore. Ajo luftë nuk ka përfunduar zyrtarisht dhe Kim Jong-un, udhëheqësi i Koresë së Veriut, me të cilin Trump tha së fundmi se do të dëshironte të takohej sërish, ka ruajtur aleanca zyrtare sigurie me Kinën dhe Rusinë.

Pak ditë përpara se Putini të niste pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, ai u takua me Xi-në gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin. Dy qeveritë njoftuan se vendet e tyre kishin hyrë në një partneritet “pa kufij”.

Megjithatë, kufij ka pasur. Sipas analistëve, Xi është shqetësuar për pasojat ekonomike botërore të luftës në Ukrainë dhe Kina përgjithësisht ka shmangur dërgimin e armëve në Rusi. Në maj, kur Putini shkoi në Pekin pas vizitës së Trumpit, udhëheqësit rus dhe kinez nuk arritën të finalizonin një marrëveshje për ndërtimin e një gazsjellësi të ri dhe shitjen e energjisë nga Rusia në Kinë.

Në një banket të mërkurën në mbrëmje në Shenzhen, Xi dhe bashkëshortja e tij, Peng Liyuan, ish-këngëtare e ushtrisë, pritën Trumpin, Putinin dhe udhëheqës të tjerë që ndodheshin në qytet për një samit ekonomik aziatik. Xi e uli Trumpin pranë vetes në tryezën kryesore, ndërsa Putini ishte më larg, me Pengun. Disa e kanë interpretuar këtë si një shpërfillje të mundshme të Putinit nga udhëheqësi kinez.

Por pas dy vjetësh, Trumpi me gjasë do të jetë larguar nga skena botërore, ndërsa Putini dhe Xi mund të jenë sërish duke darkuar së bashku si udhëheqës të vendeve të tyre dhe, në sytë e tyre, si burra të mëdhenj.

*Edward Wong ka shkruar një libër për Kinën dhe ka raportuar nga Shenzheni për samitin historik trepalësh. Ai mbulon çështjet ndërkombëtare prej më shumë se dy dekadash për NYTimes.


Video