Duhet të jemi fair dhe të drejtë në arsyetim, pavarësisht simpative apo antipative politike që kemi për emrat e përfshirë. Drejtësia nuk mund të jetë e drejtë vetëm kur godet njerëzit që nuk na pëlqejnë.
Në të vërtetë, kam argumentuar vazhdimisht se dosja “Partizani”, të paktën në narrativën e saj të njohur publikisht, është një konstruksion juridik i sforcuar, i cili i përket më shumë debatit politik sesa atij penal.
Për fat të keq, kjo qasje ka dëmtuar edhe vetë drejtësinë e re, veçanërisht SPAK-un, duke e vendosur atë në qendër të vorbullës politike.
Kujtoj se në kuadër të kësaj çështjeje, Sali Berisha, kryetari i partisë më të madhe opozitare, u izolua për gati një vit në arrest shtëpiak. Bashkë me të u izolua edhe dhëndri i tij, ndërsa pronarët e tokës dhe ndërtuesi u vendosën nën ndjekje penale.
Por çfarë ka ndodhur realisht, sipas historisë së njohur të kësaj prone?
Një grup pronarësh privatë kanë kërkuar dhe përfituar kthimin e pronës së tyre, pas një procesi të gjatë administrativ e gjyqësor, që ka kaluar nëpër disa qeveri, jo vetëm në atë të Sali Berishës.
Toka kishte origjinë private dhe, nëse plotësoheshin kushtet ligjore, kthimi i saj ishte detyrim i shtetit, jo favor i qeverisë.
Klubi “Partizani” nuk ishte pronar i tokës. Për më tepër, aktiviteti sportiv në atë kompleks ishte braktisur dhe ambientet e tij ishin zënë prej kohësh nga familje të ardhura në Tiranë. Pra, destinacioni sportiv ishte humbur në fakt, përpara se të ndryshonte juridikisht.
Më pas, prona iu kthye pronarëve, godinat e shkatërruara iu shitën me parablerje pronarëve të tokës dhe këta të fundit e zhvilluan në një zonë urbane, përmes marrëveshjeve me ndërtues dhe lejeve përkatëse.
Kjo është historia në thelb. Pra nuk iu mor prona një pronari për t’ia dhënë një tjetri. Por prona iu kthye pronarëve të saj dhe më pas u zhvillua për ndërtim.
Tani, ku qëndron krimi?
Sigurisht, mund të hetohet nëse gjatë këtij procesi ka pasur shkelje ligjore, favore të paligjshme apo korrupsion. Por këto duhen provuar konkretisht. Nuk mjafton që një prej përfituesve të pronës të jetë dhëndri i kryeministrit të kohës.
Teza që dhëndërri korrupton vjerrin nuk ka lidhje me llogjikë ligjore. Sado të mos na pëlqejë kjo, të vërtetën duhet ta pranojmë siç është. Lidhja familjare nuk është provë penale. As përfitimi nga një e drejtë pronësie nuk është automatikisht produkt korrupsioni.
Madje, edhe nëse një vendim qeveritar ka ndikuar në përshpejtimin e kthimit të pronës, kjo nuk e bën vetvetiu vendimin kriminal. Duhet provuar se është shkelur ligji, se është ushtruar pushteti në mënyrë të paligjshme dhe se ekziston lidhja konkrete me përfitimin e padrejtë.
Përndryshe, po kriminalizojmë ushtrimin e një të drejte vetëm për shkak të identitetit politik apo familjar të përfituesit.
Dhe kjo është e papranueshme.
Duam të hetojmë Sali Berishën? Dakord! Le të hetohet për përgjegjësitë e mundshme penale të vitit 1997, për Gërdecin apo për 21 Janarin. Nëse ka prova dhe përgjegjësi individuale penale, le të gjykohet.
Por nuk mund të zëvendësojmë provën e një vepre penale me dyshimin që buron nga mbiemri i origjinës së mamasë së dhëndrit.
Nuk mund të shpallësh kriminal kthimin e pronës vetëm sepse nuk të pëlqen politikisht kryeministri gjatë qeverisjes së të cilit është kthyer ajo.
Edhe më problematik bëhet ky proces kur në ndjekje penale përfshihen pronarët dhe ndërtuesit, duke krijuar përshtypjen se ata shërbejnë si një lloj garniture procedurale për akuzën kryesore politike.
Si mund të shndërrohet ushtrimi i së drejtës së pronës në element kriminal, pa provuar më parë se vetë kjo e drejtë është fituar në mënyrë të paligjshme?
Natyrisht, pronësia nuk të jep imunitet nga ndjekja penale. Por as ndjekja penale nuk mund ta trajtojë pronësinë si të dyshimtë vetëm sepse ajo është ekonomikisht e leverdishme.
Pikërisht këtu qëndron problemi i madh i dosjes “Partizani”.
Duke e sforcuar juridikisht një çështje që ka ngarkesë të jashtëzakonshme politike, drejtësia rrezikon të prodhojë efektin e kundërt me atë që pretendon.
Në vend që të vendosë përgjegjësi penale të qarta, ajo krijon hapësirë për viktimizim politik. Në vend që ta nxjerrë Sali Berishën përballë provave konkrete, e vendos atë në qendër të një beteje politike me drejtësinë.
Kështu, paradoksalisht, një proces që pretendohet se lufton pandëshkueshmërinë mund të shndërrohet në instrumentin më të mirë politik të atij që synon të ndëshkojë. Pandëshkueshmëria nuk luftohet duke ndërtuar akuza me çdo kusht. Luftohet duke provuar krime konkrete, me prova konkrete, ndaj personave konkretë.
Mund t’i kemi inat njerëzit. Mund të mos i duam politikisht. Mund të dëshirojmë edhe largimin e tyre përfundimtar nga jeta publike. Por kjo nuk është punë e drejtësisë penale.
Drejtësia nuk ekziston për të ndëshkuar njerëzit që nuk na pëlqejnë, por për të ndëshkuar veprat penale që provohen se kanë kryer.
Nëse e humbasim këtë dallim, atëherë nuk po luftojmë pandëshkueshmërinë. Po krijojmë thjesht alibinë e saj.
Një alibi që i jep drejtësisë pamjen e forcës, politikës mundësinë e viktimizimit dhe shoqërisë iluzionin se po vendoset drejtësi.
Ndërkohë që pyetja themelore mbetet pa përgjigje: Cila është vepra penale konkrete që nuk do të ekzistonte, nëse një prej pronarëve të ligjshëm të tokës nuk do të ishte dhëndri i Sali Berishës?!
Duhet pranuar kjo llogjikë më së shumti për atë që nuk na pëlqen. Kjo sipas meje të bën më të drejtë në arsyetim.