Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Burime për VoxNews na kanë pohuar se deputetja socialiste, Sara Mila është marrë e pandehur nga SPAK për korrupsion në zgjedhje.
Pasi u thirr në Prokurorinë e Posaçme për të dëshmuar si person në dijeni për akuzat për blerje votash gjatë zgjedhjeve në Elbasan, ku dyshohet se Mila ka premtuar ndihma ekonomike në kërkim të votave për PS-së, u bë për ‘ujë të ftohtë’ nga një qytetare.
Teksa deputetja socialiste fliste para mediave, një qytetare në sfond dëgjohet teksa e akuzon ligjvënësen si hajdute dhe njeri i vendosur në Kuvend nga krimi.
“Pse i jepni rëndësi këtyre hajduteve? Këta që janë vendosur nga krimi? Nuk kanë kapacitet për të qenë në Kuvend. Turp turp. Tradhtare!”, dëgjohet teksa i thotë qytetarja.
Prokuroria e Posaçme po verifikon pretendimet për një ndërhyrje të mundshme të Sara Miles në zgjerimin e listës së përfituesve të ndihmës ekonomike në këmbim të votave në favor të PS-së.
Konkretisht, në periudhën nëntor-dhjetor 2024, pra kur fushata elektorale për zgjedhjet e përgjithshme ishte në hapat e para, në Njësinë Administrative Gjocaj ishin trefishuar familjet që përfitonin ndihmë ekonomike.
Sipas Prokurorisë së Elbasanit “nga 110 familje, gjatë kësaj periudhe, numri i përfituesve arriti në 320”, shkruan BoldNews.
SPAK po heton dyshimet se janë bërë favorizime dhe dhënie e ndihmës ekonomike për persona të caktuar, me qëllim që ata të votonin për Partinë Socialiste dhe deputeten, Sara Mila.
Dosja është ndarë në dy fraksione. Njëri prej tyre është dërguar për gjykim nga Prokuroria e Elbasanit, ndërsa pjesa që lidhet me dyshimet për përfshirjen e zyrtarëve të lartë në këtë çështje i është kaluar SPAK-ut, pas shpalljes së moskompetencës nga prokuroria vendore.
Kujtojmë që kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka akuzuar vazhdimisht deputeten socialiste të qarkut të Elbasanit se e ka siguruar mandatin përmes mbështetjes nga krimi i organizuar.