
Këtë të mërkurë, në orën 14:00, është paralajmëruar mbajtja e një proteste kombëtare, ku pritet të marrin pjesë studentë dhe qytetarë nga Tirana, si dhe qytete të tjera të vendit.
Protesta do të nisë, ashtu siç është kthyer tashmë në traditë, përpara Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit do të mblidhen për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë. Më pas, pjesëmarrësit do të marshojnë në drejtim të Kryeministrisë, ku pritet të vijojë tubimi.
Organizatorët u kanë bërë thirrje studentëve dhe qytetarëve që t'i bashkohen protestës, me synimin për të zhvilluar një tubim të përbashkët kundër qeverisë. Po ashtu ata kanë lajmëruar se do të zhvillojnë protestë kombëtare dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë
Ndërkohë, protestat që prej ditësh po zhvillohen në vend janë shoqëruar edhe me incidente, akte dhune dhe dëmtime të pronave të institucioneve dhe subjekteve private.