Ekzekutimi i Ardian Nikulajt, rrëfehet vrasësi portugez: Edmond Haxhia është shoku im, por s'kam lidhje me vrasjen

10 Nëntor 2026, 16:15Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ekzekutimi i Ardian Nikulajt, rrëfehet vrasësi portugez: Edmond Haxhia

Ditën e sotme u mbajt gjyqi ndaj Ruben Saraivës për vrasjen e Ardian Nikulajt, teksa më pas gjykata vendosi ta shtyjë më 24 nëntor 2026.

Në gjyqin ndaj Saraivës ishin të pranishëm i pandehuri, si dhe familjarë të Ardian Nikulajt. Për këtë arsye, në sallën e gjyqit ndodheshin katër punonjës të Policisë së Burgjeve.

“Kërkojmë prishjen e vendimit me të cilin Saraiva është dënuar dhe rigjykimin e çështjes. Kërkojmë rimarrjen e provave vendimtare, mes tyre dëshminë e Valbona D., si dhe caktimin e një përkthyesi, për arsyet që kemi paraqitur.

Kërkesa kryesore është konstatimi i shkeljes së së drejtës për një proces të rregullt ligjor, si dhe konstatimi i papërdorshmërisë së dëshmisë së shtetases Valbona D., e marrë në shkelje të procedurave ligjore. Kërkojmë prishjen e vendimit të dënimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në të njëjtën gjykatë, atë të Lezhës, por me një trupë tjetër gjykuese”, deklaroi avokati i tij.

Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, e cila po ndjek procesin, më pas ka marrë fjalën Ruben Saraiva, i cili ka deklaruar se ka kërkuar transparencë në hetim sipas të drejtës që i takon.

“Jam dakord me atë që tha avokati. Kërkoj ndjesë nëse përsëritem. Mendoj se, si qytetar i huaj, minimumi që duhet të më ofrohej është transparenca në proces, për provat dhe hetimin.

Transparenca është e drejta ime, jo vetëm si qytetar i huaj, por edhe si i pandehur, si dikush që nuk flet dhe nuk kupton shqip. Mendoja se gjykata, prokuroria apo kushdo tjetër do të më jepte mundësinë të kuptoja se çfarë po ndodhte.

Kam bërë kërkimet e mia nga burime të qëndrueshme, nga ambasada dhe nga një avokat. Pyetja ime ishte: Si qytetar i huaj, kujt i takon detyrimi për të më vënë në dispozicion aktet e përkthyera? Përgjigjja ishte e njëjtë nga të gjithë: përgjegjësia i takon prokurorisë dhe gjykatës, si në Shkallën e Parë, ashtu edhe në Apel.

Jam dënuar me burgim të përjetshëm. Mendoja se do të merrja të gjitha aktet e përkthyera dhe jo vetëm vendimin. Jam para jush totalisht i papërgatitur dhe i verbër për atë që ka ndodhur gjatë hetimit dhe gjykimit. Ndaj jam para jush për t’ju kërkuar: kërkoj transkriptet e seancave gjyqësore të mëparshme.

Për shembull, çfarë ka thënë dëshmitari? Pse, ndërkohë që përkthyesi po flet, askush nuk pret derisa ai të përfundojë? Kjo ndodhte gjatë seancave. Kur prokurorja bënte pyetje, unë kërkoja që të flitej më ngadalë, sepse dua të di se çfarë ka mbetur pa u përkthyer.

Asnjë nga këto nuk mund të konsiderohet transparencë. Tani që jemi në Apel, shpresoj të jeni neutralë dhe të drejtë. Është shumë e qartë se, përveçse në media, edhe gjatë procedimit penal unë jam përcaktuar si person fajtor. Çdo kërkesë e avokatit tim është refuzuar, ndërsa çdo kërkesë e prokurorisë është pranuar. Çdo shkelje procedurale ka ndodhur për të më përkufizuar mua si fajtor.

Nuk pritet një ekspert për të kuptuar se një gjykatë e ligjshme nuk mund të vendosë çfarë mendon apo çfarë thotë media, por vendos mbi fakte, nëse dikush e ka kryer apo jo një krim. Çdokush që më njeh dhe që ka komunikuar me mua do të thotë këtë gjë. Edmond Haxhia është shoku im, nuk e kam mohuar kurrë. Kam qenë në pronën e tij, në shtëpinë e tij. Kam udhëtuar me Edmondin dhe të fejuarën e tij, Valbona Dedën. Kemi udhëtuar bashkë dhe nuk ka lidhje nëse prona ishte e tij apo me qira.

Po unë kam qëndruar në hotele të ndryshme për të njohur kulturën shqiptare. Kam takuar shumë shqiptarë, shumica nuk flisnin asnjë fjalë anglisht. Disa ishin kushërinj të Edmondit, por unë nuk i mbaj mend. Ata flasin për motiv për të dënuar dikë. Për të bërë një vrasje duhet të ketë një motiv. Sipas prokurorisë, ka pasur një motiv Edmondi. Më lini të mbroj veten time”, deklaroi Ruben Saraiva.

Gjykata: Vazhdo me pjesën tjetër…

Saraiva: Numri 1, ky motiv nuk ka lidhje me mua. Unë nuk kam dijeni për konfliktet e Edmondit. Ai dukej i qetë dhe nuk dukej të kishte shqetësime. Unë nuk e di kush është viktima, nuk më ka folur kush për të asnjëherë. Edhe njëherë dua të përsëris atë që tha avokati për interesin. Ku bazohet interesi, te besimi apo te tundimi? Të flasim për të bashkëpandehurit. Ka të tjerë që i keni përfshirë në këtë çështje. Nuk i njoh, nuk i kam takuar kurrë, po kurrë. Nuk ka asnjë provë, asnjë kamerë që unë të kem qenë qoftë edhe njëherë të vetme me këta persona. Në lidhje me ADN-në, pra provat shkencore, nuk e di se si ndodh kjo.

Gjykata: I detajoi avokati juaj.

Saraiva: Çdo provë vërteton që kam qenë te shtëpia e Edmondit, kam qenë në ambientin e tij, por kjo nuk më lidh me krimin. Një dëshmitar thotë që ka punuar si banakier në biznesin e Ardian Nikulajt. Ai e përshkruan autorin 1.90 m të gjatë, të veshur trashë dhe me kokore.

Gjykata: I shpjegoi avokati juaj, ju lutem. Avokat, ju lutem, orientoje klientin.

Saraiva: Një dëshmitar tha që më kishte parë në TV. Nuk iu bë asnjë pyetje nëse më kishte parë në vendngjarje. Përpjekjet e dëshpëruara të prokurorisë për të më lidhur me autorin, nuk e di nëse kjo quhet shkelje, por në këtë dokument para gjykimit, në kohën e deklaratës, thuhet që autori ka flokët e gjata dhe të lëshuara para helmetës. Më pas kjo ka ndryshuar dhe në vendim thuhet se ka flokët e gjata me gërsheta. Gërshetat dhe bishti i gjatë e i lëshuar janë gjëra të ndryshme. Nuk e di nëse kjo është shkelje apo keqinterpretim i provave, ngaqë unë u paraqita në gjykatë me gërsheta dhe duan të më lidhin me autorin.


Video