
Shkolla e mesme “Qemal Stafa” në Tiranë është renditur ndër institucionet arsimore me nivelin më të lartë të rrezikut për sigurinë, sipas një raporti të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që evidenton problematikat në shkollat parauniversitare.
Dokumenti, i përcjellë Ministrisë së Arsimit, nxjerr në pah një situatë shqetësuese në këtë institucion arsimor, ku janë regjistruar 8 incidente gjatë periudhës janar-qershor 2026, numri më i lartë mes shkollave të përfshira në tabelën e institucioneve me përsëritje ngjarjesh.

Problematikat nuk janë mbyllur me përfundimin e vitit shkollor. Edhe gjatë muajit shtator është regjistruar një tjetër incident në “Qemal Stafa”, duke e mbajtur shkollën në vëmendjen e strukturave të sigurisë.
Në vlerësimin e Policisë, “Qemal Stafa” është klasifikuar me prioritet shumë të lartë, së bashku me shkollën “Profesionalja”, e cila gjithashtu është renditur në kategorinë e institucioneve që kërkojnë ndërhyrje të posaçme.

Në tërësi, gjatë periudhës 14-30 shtator 2026, Policia ka evidentuar 36 ngjarje dhe incidente në institucionet arsimore parauniversitare. Shqetësues është fakti se 55.6% e tyre janë regjistruar në perimetrin e shkollave, ndërsa 36.1% brenda ambienteve të institucioneve arsimore dhe 8.3% në hapësirat elektronike dhe online.
Një tjetër element problematik është përqendrimi i incidenteve në turnin e dytë. Sipas raportit, 58.3% e ngjarjeve janë regjistruar gjatë këtij turni, duke e identifikuar atë si periudhën me ekspozimin më të lartë ndaj problematikave të sigurisë.

Përveç konflikteve dhe dhunës, në shkolla janë evidentuar edhe raste që lidhen me armë dhe objekte të rrezikshme, narkotikë, vjedhje, kanosje dhe bullizëm, si dhe problematika të sigurisë fizike dhe digjitale.
Raporti evidenton gjithashtu se 21 nga 36 ngjarjet kanë ndikuar në drejtpërdrejt në sigurinë personale, ndërsa 14 institucione arsimore janë klasifikuar si shkolla me histori të përsëritura incidentesh.

Në një krahasim me shtatorin e vitit 2025, numri i regjistrimeve është dyfishuar, nga 17 në 36, ndërsa incidentet në perimetrin e shkollave janë rritur nga 6 në 20.

Policia rekomandon shtimin e patrullimeve dhe kontrolleve të orientuara në perimetrat e shkollave, plane të diferencuara reagimi për institucionet me përsëritje ngjarjesh, si dhe forcimin e bashkëpunimit mes strukturave të sigurisë dhe drejtuesve të institucioneve arsimore.
Lidhur me këtë raport, ka reaguar edhe drejtoresha e gjimnazit “Qemal Stafa”, Klotilda Jaupi.
Sipas saj, shqetësues është fakti se në zonat përreth gjimnazit afrohen persona të tjerë, të cilët nxisin ngacmime dhe konflikte mes adoleshentëve.
Ajo sqaron se incidentet nuk kanë përfshirë gjithmonë nxënës të “Qemal Stafës”, por se në disa raste përgjegjësia është adresuar gabimisht te kjo shkollë.
Drejtoresha e “Qemal Stafës” identifikon disa pika problematike ku mblidhen të rinj nga shkolla të ndryshme: stacionin e autobusit në rrugën “Mine Peza”, atë pranë Universitetit të Sporteve, zonën e karburantit Gazheli, si dhe ambientet përreth lokaleve “Zero” dhe “Noel”.
Për këtë arsye, drejtoresha kërkon prezencë të shtuar të forcave të Policisë në pikat e identifikuara, me qëllim parandalimin e konflikteve dhe garantimin e rendit publik.
Sipas saj, këto zona ndodhen jashtë perimetrit të sigurisë së shkollës dhe kanë fluks të lartë lëvizjeje, çka e bën të nevojshme një ndërhyrje më të koordinuar mes institucioneve.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016