Pa datë skadence dhe pa analizë për aflatoksinën, AKU refuzon 25 ton produkte gruri!

25 Nëntor 2026, 15:45Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Pa datë skadence dhe pa analizë për aflatoksinën, AKU

25 ton produkte gruri janë refuzuar në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë dhe do të kthehen në Kosovë, pasi gjatë kontrolleve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë konstatuar një sërë problematikash me dokumentacionin dhe etiketimin. 

Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, bëhet fjalë për një ngarkesë të importuar nga subjekti “Mirela Bërdufi”, që përfshinte 7 ton miell gruri të tipit 400 dhe 500, si dhe 18 ton produkt të deklaruar si “Hime gruri”. 

Gjatë verifikimeve në PIK Morinë, inspektorët kanë konstatuar mungesa të theksuara në dokumentacionin shoqërues të produkteve. Për pjesën më të madhe të ngarkesës me miell gruri, data e prodhimit dhe ajo e skadencës nuk ishin të lexueshme.

Po ashtu, niveli i proteinave i deklaruar në ambalazh nuk përputhej me të dhënat në dokumentacion, ndërsa mungonin numri i lotit (LOT) dhe fleta e analizës për aflatoksinën.

Problematika është konstatuar edhe te produkti “Hime gruri”, ku mungonte numri i lotit në etiketa, duke mos mundësuar identifikimin dhe lidhjen e produktit me dokumentacionin shoqërues.

Përballë këtyre shkeljeve, AKU ka vendosur refuzimin në kufi të ngarkesës dhe kthimin e saj në vendin e origjinës, Kosovë.


Vox Pop

Video