
Dy personat e arrestuar pas tentativës për grabitjen e banesës së Princit William dhe Princeshës Kate në pronën mbretërore në Sandringham, Norfolk, janë shqiptarët Mirgen Doku dhe Arilen Ndoci.
Sipas raportimeve të mediave britanike, mes tyre është një emigrant i paligjshëm, i cili kishte paraqitur më herët kërkesë për azil në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë, statusi i qëndrimit të të dyshuarit tjetër mbetet ende i paqartë dhe po kryhen verifikime të mëtejshme për të kaluarën e tyre.
Mediat raportojnë se dy të dyshuarit nuk e dinin se banesa ku tentuan të hynin i përkiste çiftit mbretëror, Princit dhe Princeshës së Uellsit.
Alarmi i sigurisë u aktivizua pak para orës 18:00 të së hënës, në një kohë kur William, Kate dhe tre fëmijët e tyre nuk ndodheshin në pronë.
Në atë moment, Mbreti Charles qëndronte në Sandringham House, rreth pesë kilometra larg, ndërsa Andrew Mountbatten-Windsor ndodhej në banesën e tij, Marsh Farm, në një pjesë tjetër të pronës prej 20 mijë hektarësh.
Dyshohet se personat e maskuar aktivizuan sistemet e sigurisë, të cilat përfshijnë kamera vëzhgimi, teknologji lazer dhe sensorë të vendosur në tokë, përpara se të largoheshin me shpejtësi.
Policia britanike nisi një operacion të gjerë kërkimi, ku u angazhuan qen gjurmues, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Kombëtar Ajror të Policisë, i pajisur me teknologji infra të kuqe. Helikopteri qëndroi për rreth dy orë mbi zonë.
Pas kontrolleve intensive, dy të dyshuarit u kapën brenda territorit të pronës mbretërore. Policia përdori gjithashtu detektorë metalesh dhe kontrolloi zonën përreth.
Deri më tani, autoritetet dhe Pallati Kensington nuk kanë dhënë informacion nëse nga banesa është marrë ndonjë send.
William dhe Kate u informuan për incidentin të hënën në mbrëmje dhe, sipas raportimeve, ishin “jashtëzakonisht të shqetësuar”.
Anëtarët e familjes mbretërore kanë oficerë personalë sigurie, të cilët ofrojnë mbrojtje 24 orë në ditë. Pas këtij incidenti, Komiteti Mbretëror dhe i Sigurisë për Personat VIP pritet të vlerësojë nëse nevojiten masa shtesë mbrojtjeje.
Prona Anmer Hall iu dhurua William dhe Kate nga Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II me rastin e martesës së tyre. Edhe pse rezidenca e tyre kryesore tashmë është në Windsor, vila në Norfolk vijon të jetë një vendstrehim familjar, ku çifti kalon pushimet verore dhe periudhat e pushimeve shkollore.
Ajo shërbeu gjithashtu si vendstrehim për familjen gjatë pandemisë së Covid-19 dhe si një ambient ku Kate kaloi një pjesë të periudhës së rikuperimit nga sëmundja.