
Punonjësit shqiptarë paguhen mesatarisht katër herë më pak se ata në Bashkimin Europian, ndërsa vijojnë të mbeten ndër më pak të paguarit edhe në Ballkanin Perëndimor.
Sipas të dhënave të fundit të Eurostat-it, publikuar nga Euronws, paga mesatare vjetore bruto, e përshtatur për punësimin me kohë të plotë, arriti në 41,464 euro në Bashkimin Europian në vitin 2025, me një rritje prej 4.3% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Në Shqipëri, sipas statistikave të INSTAT-it, paga mesatare mujore bruto ishte rreth 84 mijë lekë në vitin 2025, ose rreth 860 euro, e barasvlershme me 10,320 euro në vit.
Ndonëse metodologjitë e matjes nuk janë plotësisht të harmonizuara, krahasimi orientues e vendos pagën mesatare shqiptare në rreth 25% të nivelit të Bashkimit Europian. (Sipas Anketës së Kostos së Punës për vitin 2024, të publikuar nga INSTAT më 12 nëntor 2026, 99.5% e punëmarrësve në Shqipëri ishin me kohë të plotë).
Punonjësit shqiptarë paguhen rreth 36% më pak edhe se ata në Bullgari, vendi me pagat më të ulëta në Bashkimin Europian, ku të ardhurat mesatare vjetore bruto arritën në 16,201 euro në vitin 2025.
Diferenca është e konsiderueshme edhe me dy prej destinacioneve kryesore të emigracionit shqiptar, Italinë dhe Greqinë. Në Itali, paga mesatare vjetore bruto ishte 34,213 euro, ndërsa në Greqi 18,772 euro. Në Gjermani, paga mesatare arriti në 56,360 euro.
Shqipëria mbetet pas edhe në rajon, ia kalon vetëm Kosovës
Të dhënat e përpunuara më herët nga “Monitor”, bazuar në statistikat zyrtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, evidentojnë se Shqipëria vazhdon të ketë një hendek të konsiderueshëm në paga edhe me ekonomitë fqinje.
Serbia kryesoi rajonin në vitin 2025, me një pagë mesatare vjetore bruto prej rreth 15,480 eurosh, 50% më të lartë se në Shqipëri.
Në Bosnjë-Hercegovinë, paga vjetore arriti në rreth 14,940 euro, ndërsa në Mal të Zi në 14,472 euro.
Maqedonia e Veriut, me një pagë mesatare vjetore prej 13,200 eurosh, i paguan punonjësit rreth 28% më shumë se Shqipëria.
Vetëm Kosova ka paga më të ulëta në rajon. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare mujore bruto arriti në 713 euro në vitin 2025, me një rritje prej 11.6% në krahasim me vitin e mëparshëm, ose 8,556 euro në vit.(Monitor)